Puna në terren te varreza masive e dyshuar në Kalludër të Zubin Potokut pritet të mbyllet brenda kësaj jave. Më pas nis faza e gjatë e shqyrtimit të mbetjeve dhe testimit gjenetik.

Gërmimet në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se prehen mbetjet mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, hyjnë në fazën e tyre përfundimtare. Sipas Kushtrim Garës nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, procesi i gërmimit, vlerësimit dhe zhvarrosjes në këtë lokacion pritet të mbyllet brenda kësaj jave.
"Në kuptimin e gërmimit, vlerësimit dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore është çështje ditësh, në qoftë se jo sot, nesër, pra gjatë kësaj jave. Mirëpo, në kuptimin e përfundimit në tërësi si proces, pasi është faza e shqyrtimit të mbetjeve, pastaj është çështja e analizave të ADN-së, e cila është çështje e testimit në laborator që kryhet bashkë me partnerët ndërkombëtarë, do të marrë pak kohë", tha Gara.
Kjo është java e katërt e gërmimeve në Kalludër, ku javë më parë ishin identifikuar disa zona të dyshuara si varreza masive. Aktualisht puna është përqendruar në lokacionin e tretë të varrezës.
Pas mbylljes së punimeve në terren, radhën e merr shqyrtimi i mbetjeve mortore dhe analizat gjenetike, të cilat do të realizohen në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Gara theksoi se institucionet vendore do të veprojnë me prioritet për çdo çështje që u takon.
"Por, ajo që është e rëndësishme, çdo gjë që është brenda mundësive, kompetencave dhe në duart e ekspertëve të institucioneve të Kosovës do të adresohet me prioritet dhe brenda afateve optimale", tha ai.
Në rast identifikimi të mbetjeve pas analizave, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do të njoftojë familjet e viktimave. Sipas Garës, familjet do të kenë të drejtën të vendosin për datën dhe vendin e rivarrimit, si dhe nëse dëshirojnë që informacioni të bëhet publik.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

