Një kallashnikov me 13 fishekë dhe një pistoletë e mbushur u gjetën në sediljen e pasme të një taksie në Bllatë të Dibrës. Policia dyshon se armët ishin nisur nga Tufina e Tiranës drejt Maqedonisë së Veriut.

Në sediljen e pasme të një taksie, në rrethrrotullimin e Bllatës në Dibër, policia shqiptare gjeti një kallashnikov me 13 fishekë dhe një pistoletë të mbushur. Shoferi, 30-vjeçari A. T., banues në Durrës, u arrestua në flagrancë.
Arrestimi erdhi në kuadër të operacionit të koduar "Taksia", të cilin e finalizuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër së bashku me Seksionin Operacional të DVP Dibër. Kontrolli u ushtrua mbi automjetin që drejtohej nga vetë 30-vjeçari.
Pistoleta kishte një fishek në fole dhe një tjetër në krehër. Të dyja armët, bashkë me municionin luftarak, u sekuestruan si provë materiale.
Sipas policisë, nga veprimet e para hetimore dyshohet se i arrestuari i kishte marrë armët në zonën e Tufinës, në Tiranë, me synimin për t'i transportuar drejt Maqedonisë së Veriut nëpërmjet kufirit të gjelbër.
Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila do të vendosë për hapat e mëtejshëm ndaj të dyshuarit.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

