Premtimi ishte 180 ditë punë. Tre vjet më vonë, banorët e lagjes Kalabria në Prishtinë ende jetojnë pranë një kolektori të papërfunduar, me erë të rëndë dhe frikën e vërshimeve sa herë bie shi. Komuna jep një afat të ri: fundi i dhjetorit 2026.

Era e kanalizimit është bërë pjesë e ditës normale në lagjen Kalabria të Prishtinës. Banorët atje jetojnë prej vitesh pranë një kolektori, punimet e të cilit kanë nisur shumë kohë më parë dhe ende nuk kanë përfunduar. Kur bie shi, shqetësimit i shtohet edhe rreziku i vërshimeve.
Në vitin 2023 ishte premtuar se punimet do të mbylleshin brenda 180 ditësh. Më shumë se tre vjet më vonë, projekti mbetet i papërfunduar.
Një banor i lagjes e përshkruan situatën si një histori që nuk mbaron. "Edhe është histori e gjatë puna me këtë shëmti këtu, apo jo? Prandaj, edhe pasojat janë të paparashikueshme, janë të tmerrshme", thotë ai. Kritikën ai e drejton nga institucionet, që sipas tij nuk kanë gjetur zgjidhje: "Çdo ditë thithim këtë aromë, këtë ushqim, ushqehemi me këtë shëmti. Ndodh në kryeqytetin e Kosovës, para syve të gjithë njerëzve, qytetarëve që janë të pafuqishëm të bëjnë diçka konkrete".
Sipas tij, një nga arsyet e zvarritjes janë përplasjet mes pushtetit qendror dhe atij lokal. "Po shiko, duket këtu që është konsekuencë e një marrëzie shqiptare një konsekuencë e them në thonjëza 'konflikti mes pushtetit qendror dhe vendor', ndërkaq pasojat i vuajnë qytetarët këtu", thotë banori, duke shtuar: "Është shembulli tipik shqiptar, i marrëzisë, i jokompetencës, i mungesës së shpirtit të përgjegjësisë për shtetin, për normalitetin ... kjo, kjo është esenca. Mjerisht, mjerisht".
Për vonesat, Komuna e Prishtinës kishte përmendur në të kaluarën bllokimin e buxhetit nga Qeveria e Kosovës, si dhe problemet pronësore. Drejtoresha e Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Zyhrije Pllana, kishte deklaruar edhe më herët se çështjet pronësore ishin zgjidhur dhe se punimet do të përfundonin së shpejti. Ato nuk përfunduan.
Tani vjen një afat i ri. Pllana konfirmon se pengesat pronësore janë tejkaluar dhe cakton fundin e vitit të ardhshëm si datë të mbylljes së punimeve. "Punimet për ndërtimin e kolektorit në lagjen Kalabria kanë filluar. Për shkak të disa kontesteve pronësore, procesi ka pësuar disa vonesa. Megjithatë, jemi në kontakt të vazhdueshëm me Drejtorinë e Pronës dhe besojmë se këto pengesa tashmë janë tejkaluar. Nëse çdo gjë shkon sipas planit, punimet pritet të përmbyllen deri në fund të muajit dhjetor 2026", ka deklaruar ajo.
Deri atëherë, banorët e Kalabrisë do të vazhdojnë të jetojnë me kolektorin e papërfunduar para dyerve të tyre.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

