Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi hodhi poshtë çdo plan për zhvendosjen e palestinezëve, vetëm disa orë pasi ministri izraelit i Mbrojtjes premtoi se ushtria do ta "përfundojë punën" në Gaza për të zbatuar atë që e quajti plan migrimi.

Deklarata e ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, se ushtria do ta "përfundojë punën" në Gaza, "në mënyrë që të mund të zbatojmë edhe planin e migrimit", mori përgjigje brenda pak orësh nga Kajroja. Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi, kundërshtoi çdo plan për zhvendosjen e palestinezëve.
Duke folur të mërkurën gjatë vizitës së presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, el-Sisi theksoi "qëndrimin e palëkundur të Egjiptit kundër zhvendosjes së popullit palestinez ose çdo përpjekjeje për të asgjësuar çështjen palestineze", sipas raportimit të agjencisë së lajmeve Wafa.
Abbas vlerësoi qëndrueshmërinë e Egjiptit në mbrojtje të të drejtave palestineze dhe përsëriti se "Gaza është pjesë integrale e shtetit tonë".
Katz kishte thënë më herët këtë muaj se Izraeli ishte i gatshëm t'i largonte palestinezët nga Gaza nga deti dhe nga toka, por po priste Shtetet e Bashkuara, të cilat, sipas tij, po diskutonin se ku do të shkonin dy milionë njerëz. Ambasadori amerikan Mike Huckabee ka mohuar ekzistencën e ndonjë plani për të "zhvendosur njerëzit nga Gaza kundër vullnetit të tyre". Në shkurt, Huckabee kishte deklaruar shprehimisht se do të ishte "në rregull" po qe se Izraeli merrte pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme sipas interpretimit të tij të Biblës, për ta sugjeruar më pas se deklarata ishte redaktuar në mënyrë selektive.
Pas tre vjetësh lufte, në të cilën janë vrarë më shumë se 73.700 palestinezë, pothuajse e gjithë popullsia e Gazës është zhvendosur brenda territorit dhe pjesa më e madhe e tij ndodhet nën rrënoja.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi më herët këtë muaj se ushtria nuk do të tërhiqet nga Rripi i Gazës, pavarësisht se plani i armëpushimit i mbështetur nga SHBA-ja, i cili hyri në fuqi në tetor, e parashikon këtë si kusht. Netanyahu pretendoi se Izraeli kontrollon 60 për qind të enklavës palestineze dhe premtoi se nuk do të tërhiqet derisa Hezbollahu të çarmatoset.
Njëkohësisht, qeveria e tij po shtyn përpara zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, përfshirë projektin e kontestuar të njohur si E1, i konceptuar për ndërtimin e mijëra njësive banesore mes Jerusalemit dhe vendbanimit Maale Adumim. Organizata izraelite për të drejtat e njeriut B'Tselem paralajmëroi këtë javë se Izraeli po zbaton një fushatë sistematike dhe të përshpejtuar për të shkatërruar "jetën kolektive palestineze" dhe për të vendosur sovranitet të përhershëm hebraiko-izraelit në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

