Pas më shumë se dy dekadash si franshizë lokale, rrjeti JYSK në tri vende kalon në duart e kompanisë daneze. Scandinavian Living Holding ka arritur marrëveshje për shitjen e biznesit, ndërsa transaksioni pritet të përmbyllet më 1 janar 2027.

Rrjeti JYSK në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut po ndërron pronar. Scandinavian Living Holding, kompania mëmë që e ka operuar markën daneze në të tri vendet, ka arritur marrëveshje me JYSK Danimarkë për shitjen e këtij biznesi. Operacionet në të tri tregjet do të kalojnë nën organizimin e drejtpërdrejtë të grupit danez.
Transaksioni pritet të përmbyllet më 1 janar 2027. Vlera financiare e marrëveshjes nuk është bërë publike.
Gjithçka nisi në vitin 2004, me hapjen e dyqanit të parë JYSK në Kosovë. Ndër vite, biznesi u shndërrua në një rrjet rajonal me 25 dyqane, të drejtuar nga tri kompani lokale të franshizës. Sipas njoftimit të palëve, këto kompani kanë bashkëpunuar ngushtë me JYSK Danimarkë për zhvillimin e markës dhe zgjerimin e saj në të tri tregjet.
Pronari i Scandinavian Living Holding, Fatmir Zymberi, e paraqiti shitjen si kurorëzim të një rruge të gjatë dhe si dëshmi se biznesi lokal mund të tërheqë kapital të huaj: "Jemi shumë krenarë për atë që kemi ndërtuar së bashku gjatë këtyre viteve. Nga hapja e dyqanit të parë JYSK deri te 25 dyqane në tri vende, kjo është një arritje që pasqyron punën dhe kontributin e ekipeve tona, besimin e klientëve dhe forcën e partneritetit tonë me JYSK. Jemi veçanërisht krenarë që kemi ndërtuar kompani dhe një biznes me standarde të larta, të cilat kanë tërhequr një investim të tillë të huaj direkt në Kosovë nga një grup i fuqishëm ndërkombëtar me një portofol të gjerë markash. Për ne, ky është një vlerësim i rëndësishëm i asaj që kemi ndërtuar ndër vite dhe një moment i rëndësishëm për kompaninë tonë. Jemi të kënaqur që ky biznes po hyn në një fazë të re së bashku me JYSK".
Palët e përshkruajnë marrëveshjen si një hap të natyrshëm: duke u bërë pjesë e strukturës së drejtpërdrejtë të JYSK në Danimarkë, bizneset në të tri vendet do të mund të përfitojnë nga investimet e drejtpërdrejta dhe nga synimi i kompanisë për rritje të mëtejshme në rajon. Për blerësit nuk paralajmërohen ndryshime: shërbimi vijon pa ndërprerje përmes dyqaneve ekzistuese dhe kanaleve online.
Shitja nuk e largon grupin nga tregu rajonal. Kompanitë lokale të Scandinavian Living Holding operojnë edhe franshizat e KFC në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi. Grupi zotëron dhe drejton qendrën e vet logjistike dhe Scan Color, si dhe është ndër investitorët kryesorë në Prishtina Mall.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

