Një ditë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, një grup studentësh marshuan në qendër të Prishtinës me flamuj dhe pankarta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.

Pankartat u hapën në qendër të Prishtinës një ditë pas verdiktit të Hagës. Një grup studentësh nisi protestën kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke marshuar nëpër kryeqytet me flamuj në duar.
Mesazhet e shkruara në pankarta jepnin tonin e protestës: "Jo në emër të studentëve", "Justice for KLA is justice for Kosovo" (Drejtësi për UÇK-në është drejtësi për Kosovën) dhe "Nuk ka gjyq që ju gjykon në emër të popullit. Të pafajshëm përgjithmonë!", përveç thirrjeve të tjera në mbështetje të të dënuarve.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim nga gjykata në Hagë. Numri i protestuesve dhe organizatori i marshimit nuk janë bërë të ditur.
Verdikti ka nxitur reagime edhe përtej Atlantikut. Gjenerali i pensionuar amerikan Wesley Clark, i cili udhëheqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999, ka reaguar ashpër ndaj dënimit, duke thënë se nuk e kupton arsyeshmërinë e aktgjykimit. Sipas tij, dëshmitë e dhëna në proces mund të çojnë në rrëzimin e vendimit në Apel.
"Por e di që unë dhe shumë të tjerë kemi dhënë dëshmi që do të shpien te rrëzimi i këtij vendimi", u shpreh Clark në emisionin "Off the Record me Andrea Dangllin" në A2 CNN.
Gjenerali amerikan theksoi se nuk i njeh motivet e aktgjykimit: "Sepse duhet parë edhe nga vetë Gjykata e Apelit, por nuk i di motivet dhe çfarë ka ndodhur veçanërisht pas dyerve me gjykatësit. Për mua nuk ka kuptim, por ndoshta është diçka që ata dinë që ne nuk e dimë".
Akuzat mbi të cilat u dënuan ish-drejtuesit e UÇK-së, Clark i cilësoi qesharake dhe, sipas tij, të pambështetura nga dëshmi të forta. "E kam shumë të vështirë të kuptoj se si mundet një gjykatë e tillë ta dënojë një organizatë të tillë me akuza qesharake që janë bërë dhe që nuk u gjetën dëshmi të forta për to", tha ai, duke shtuar: "Dhe në pikëpamjen time, pavarësisht se s'jam jurist, shpresojmë që të kemi një rezultat tjetër në Apel".
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara do ta mbështesnin pa rezerva procesin edhe në rast se Gjykata e Apelit konfirmon vendimin, Clark kërkoi angazhim ndërkombëtar për një rezultat të ndryshëm: "SHBA-ja dhe vendet e tjera duhet të punojnë për procesin e Apelit që Apeli të dalë me vendimin e duhur".
Gjenerali e krahasoi situatën me një proces hipotetik ndaj një figure historike amerikane, duke thënë se "mund ta dërgonim edhe George Washingtonin në një gjykatë të tillë". "Nuk ka kuptim të ndëshkohen këta njerëz", përfundoi ai.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

