Kreu i Këshillit Presidencial të Jemenit, Rashad al-Alimi, ka urdhëruar ushtrinë të marrë nën kontroll gjithë vendin nga huthitë. Ofensiva u paralajmërua nga qindra goditje brenda dy ditësh, ndërsa ushtria qeveritare pretendon se qindra rebelë janë vrarë.

Jemeni ka hyrë në një fazë të re të luftës. Rashad al-Alimi, kreu i Këshillit Presidencial të Udhëheqjes të Jemenit, i mbështetur nga Arabia Saudite, njoftoi të dielën nisjen e operacioneve ushtarake për të rimarrë territoret që mbeten ende në duart e grupit të armatosur huthi, i mbështetur nga Irani.
Në një fjalim të transmetuar në televizion, al-Alimi tha se forcat e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht do të shtrijnë "autoritetin e shtetit dhe të institucioneve të tij mbi të gjithë territorin kombëtar". Urdhri drejtuar ushtrisë ishte i qartë: "Kemi udhëzuar forcat e armatosura, forcat e sigurisë dhe të gjitha formacionet ushtarake që të fillojnë zbatimin e detyrave të caktuara sipas një plani të miratuar, derisa vendi të çlirohet nga huthitë."
Ai shtoi se të gjitha institucionet shtetërore do të vihen në gatishmëri të plotë "derisa misioni të përfundojë dhe të arrihet fitorja".
Njoftimi erdhi pas një fundjave me goditje të rënda. Sipas kolonel Majed Abdullah al-Nazilit, zëdhënësit të forcave të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, të shtunën forcat jemenase "kryen 257 operacione goditjeje me precizion" kundër pozicioneve, lëvizjeve dhe kapaciteteve ushtarake të huthive. Al-Nazili pretendoi se, sipas vlerësimeve fillestare, në këto operacione janë vrarë të paktën 700 rebelë huthi. Huthitë nuk kanë dhënë shifra për humbjet e tyre.
Në të njëjtën kohë hyri në veprim edhe koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që mbështet qeverinë. Të dielën, koalicioni deklaroi se forcat e tij kryen 97 "operacione goditjeje precize" kundër përforcimeve të huthive në frontin e Tor al-Bahas dhe në aksin e Taizit, duke përdorur avionë luftarakë, dronë, artileri, raketa dhe snajperë.
Zëdhënësi i koalicionit, Turki al-Malik, kishte akuzuar një ditë më parë huthitë se "lidhjet me axhenda të jashtme" kanë sjellë "kaos dhe shkatërrim në Jemen".
Ofensiva vjen pas muajsh përshkallëzimi. Luftimet mes huthive dhe forcave qeveritare janë intensifikuar që kur në korrik u shemb armëpushimi i brishtë i vitit 2022, duke zhvendosur qindra mijëra njerëz. Në mes të shtatorit, huthitë morën qytetin port të Mokës dhe disa ishuj strategjikë në ngushticën e Bab el-Mandebit, një rrugë jetike për transportin global të naftës, përpara se forcat kundër huthive të arrinin të stabilizonin vijat e frontit.
Jemeni është në luftë që nga viti 2014, kur huthitë pushtuan kryeqytetin Sana, duke e detyruar qeverinë jemenase të tërhiqej në Aden.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

