Ushtria jemenase pretendon se ka rimarrë qytetin port të Mokhas në Detin e Kuq dhe ka vënë nën kontroll ngushticën strategjike Bab al-Mandab. Huthitë mohojnë përparimet në Dhubab dhe akuzojnë Arabinë Saudite për vrasje civilësh në Sana.

Qyteti port i Mokhas në bregun e Detit të Kuq ka kaluar sërish në duart e forcave qeveritare jemenase, sipas ushtrisë së Jemenit, e cila pretendon gjithashtu se ka "siguruar" ngushticën e Bab al-Mandabit, një nga rrugët detare më të ndjeshme të rajonit.
Sipas ushtrisë, Mokha u mor të hënën pasdite nga forcat e Mburojës Kombëtare, Brigadave të Gjigantëve dhe Rezistencës së Tihamës, me mbështetjen e sulmeve ajrore saudite. Disa orë më herët, po sipas ushtrisë, forcat qeveritare kishin marrë aeroportin e Dhubabit, rreth 45 kilometra në jug të Mokhas, dhe po rrethonin luftëtarët huthi brenda qytetit aty pranë.
Lëvizja huthi, e mbështetur nga Irani, nuk dha menjëherë asnjë koment. Megjithatë, mediat që kontrollohen nga huthitë mohuan se forcat qeveritare kishin bërë përparime në Dhubab.
Kontrolli mbi këtë brez bregdetar ka ndryshuar duar brenda pak javësh. Muajin e kaluar, huthitë nisën një ofensivë të papritur përgjatë bregut jugperëndimor të Detit të Kuq dhe i dëbuan forcat qeveritare nga Mokha, Dhubabi dhe ishulli Perim (Majun). Atëherë ata deklaruan se nuk përbënin kërcënim për lundrimin ndërkombëtar në këtë ujërrugë, por se do të vazhdonin të godisnin anijet nga Arabia Saudite.
Qeveria jemenase bëri të ditur se të hënën operacionet nisën edhe në fronte të tjera, përfshirë kryeqytetin Sana, që ra në duart e huthive 12 vjet më parë, në fillim të luftës civile. Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite tha se avionët e tij luftarakë po ofrojnë mbështetje ajrore "gjatë gjithë kohës, ditë e natë" për forcat qeveritare dhe se që nga nisja e ofensivës kanë shkatërruar 324 objektiva "me vlerë të lartë".
Nga ana tjetër, televizioni Al Masirah, që drejtohet nga huthitë, raportoi se sulmet ajrore saudite vranë të hënën një nxënëse dhe një grua në lagjet Sanhan dhe Saavan të Sanasë. Zëdhënësi i huthive, Mohammed Abdul Salam, akuzoi Arabinë Saudite se po kryen "dhjetëra masakra" dhe deklaroi se ajo duhet "të mbajë të gjitha pasojat".
Qendra për Koordinimin e Operacioneve Humanitare, e drejtuar nga huthitë, paralajmëroi kompanitë civile ajrore se hapësira ajrore saudite nuk është më e sigurt, me përjashtim të qiellit mbi qytetet e shenjta islame Meka dhe Medina, sepse sipas saj është kthyer në "një teatër operacionesh".
Huthitë thanë gjithashtu se kanë lëshuar raketa balistike dhe dronë kundër objekteve naftëtare të kompanisë Saudi Aramco në Riad dhe në zonën e Khuraisit, si hakmarrje për dhjetëra sulme saudite mbi territorin e tyre. Pamjet satelitore të së shtunës, të analizuara nga BBC Verify, tregojnë tym të dendur e të errët që ngrihet nga vendi i një goditjeje në rafinerinë e Aramcos në juglindje të Riadit. Një shtëllungë e ngjashme tymi duket në pamjet e së dielës mbi Qendrën e Përpunimit në Khurais, si dhe mbi një pikë tjetër që mund të jetë goditur.
Ofensiva, e quajtur "Operacioni Agimi i Jemenit", u shpall të dielën nga Rashad al-Alimi, kreu i Këshillit Drejtues Presidencial të njohur ndërkombëtarisht, me synimin për të rimarrë të gjithë territorin nën kontrollin e huthive, "derisa vendi të çlirohet nga kthetrat e milicisë terroriste huthi".
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

