Kontrata u dha në gusht, por dy muaj më pas në terren nuk është vendosur asnjë gur: Izraeli nuk po i lejon kontraktuesit dhe kamionët të hyjnë në Gaza. Pa këtë bazë, mbetet në pikëpyetje strehimi i trupave ndërkombëtare, mes tyre edhe ushtarëve nga Kosova.

Kamionët dhe kontraktuesit që duhej të ngrinin bazën e përkohshme për trupat ndërkombëtare në Gaza nuk po arrijnë dot në vendndodhje. Izraeli nuk po e lejon hyrjen e tyre dhe, dy muaj pas dhënies së kontratës, punimet nuk kanë nisur ende, raporton gazeta britanike The Guardian.
Baza është pjesë e planit të Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi në Gaza. Sipas raportimit, ky plan tani po has në vështirësi pikërisht në hapin e parë praktik: ndërtimin e vendit ku do të qëndrojnë ushtarët.
Objekti ishte menduar të strehonte përkohësisht 150 ushtarë ndërkombëtarë, si pjesë e një force më të gjerë prej 500 trupash nga Maroku dhe Kosova. Këto trupa, sipas raportimit, tashmë janë dërguar në kuadër të këtij angazhimi.
Ndërtimi iu besua në gusht kompanisë amerikane Arkel International, me seli në Luiziana. Baza parashikohet të ngrihet brenda një hapësire të fortifikuar prej rreth 100 me 100 metrash, në një lokacion që më parë është shfrytëzuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës.
Një person me njohuri të drejtpërdrejta për çështjen i ka thënë gazetës britanike se, pa lejen e Izraelit, projekti nuk mund të vazhdojë. Autoritetet izraelite nuk kanë dhënë ende një shpjegim publik për bllokimin.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

