Bedri Zyberaj, që thotë se e strehoi Behajdin Allaqin një natë në shtëpinë e tij në vitin 1998, kundërshton pretendimin e Prokurorisë së Specializuar për njerëzit që e panë atë për herë të fundit. Ai pohon gjithashtu se në vitin 2023 iu tha që ishte dëshmitar i Prokurorisë, por nuk u thirr kurrë të dëshmonte.

Në ditët kur Behajdin Allaqi kaloi nëpër Shtabin e UÇK-së në Drenoc të Rahovecit, as Hashim Thaçi e as Kadri Veseli nuk ishin aty. Këtë e pohon Bedri Zyberaj, ish-epror i UÇK-së në atë shtab: "Aty ku e kemi taku ne, atë s’ka qenë në shtab Kadri Veseli as Hashim Thaçi. Me pasë qenë ata në shtab, unë e kisha ditë, i kisha pa. S’kanë qenë aty ato ditë fare."
Dëshmia e tij prek drejtpërdrejt një nga rastet e përmendura në aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Prokuroria e Specializuar kishte pretenduar se Thaçi dhe Veseli ishin ndër personat e fundit që e kishin parë Allaqin, duke pohuar gjithashtu se ai ishte vrarë.
Në një intervistë ekskluzive për Lirim Mehmetajn në VOX Kosova, Zyberaj rindërtoi takimet e tij me Allaqin. Sipas rrëfimit të tij, në qershor të vitit 1998 Allaqi erdhi në shkollë tek ai dhe kërkoi Shaban Shalën, për të cilin kishte dëgjuar se ishte i ndaluar në shtab. Zyberaj thotë se i tha që nuk kishte dijeni dhe se çështja nuk ishte në kompetencën e tij, prandaj e drejtoi te Gani Paqarizi, "që ishte kompetent".
Allaqi ishte paraqitur rreth orës 10 të paradites. Rreth orës 14:30, sipas Zyberajt, ata u takuan sërish dhe Allaqi i tregoi se një pjesë e punës kishte përfunduar, ndërsa pjesa tjetër do të vazhdonte. Donte të kthehej në shtëpi, por zona ishte e bllokuar dhe nuk gjeti mjet për të udhëtuar. I lodhur, kërkoi të shkonte te familja e Zyberajt. "Atë natë s’ka pasë me çka me u kthy në shtëpi të vet, i kam bo konak në shtëpinë time", tregon ish-eprori. Të nesërmen, sipas tij, Allaqi u nis për në Prizren.
Pas disa ditësh erdhi përsëri. Zyberaj kujton një detaj që i ra në sy: Allaqi mbante në dorë një letër të formatit A4, "gjysmë të shkruar", të cilën e nxori nga një qese. Edhe këtë herë, thotë ai, Allaqi shkoi me Gani Paqarizin, ndërsa vetë vazhdoi punën e tij pa pasur arsye të interesohej më tej.
Dy javë më vonë nisën pyetjet. Miqtë dhe shokët e Allaqit erdhën të kërkonin se ku ndodhej. Zyberaj thotë se iu drejtua Paqarizit, sepse ai ishte i vetmi që kishte qenë me Allaqin. Përgjigjja që pretendon se mori ishte e shkurtër: "Jo more, ka kry punë me neve çka ka pasë edhe e kam përcjellë, ka shku për shpi". "Këto janë fjalët e Gani Paqarizit që m’i ka thanë mu, që ka nejt i fundit me të", shton Zyberaj.
Interesimi për fatin e Allaqit, sipas tij, nuk u shua gjatë gjithë vitit 1998. Në fund të atij viti, kur ndodhej në Krushë të Madhe, një nga motrat e Allaqit i kërkoi një përgjigje me shkrim për gjithçka që dinte. Zyberaj thotë se ia ktheu në një letër të datës 26 dhjetor 1998: "Dëshminë ia kam dhënë, katër faqe me shkrim dore, në detaje kam rrëfye".
I njëjti rrëfim, sipas tij, u ka mbërritur edhe prokurorëve. Zyberaj thotë se u intervistua nga Prokuroria Speciale në Kosovë në vitin 2018 dhe nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara në janar të vitit 2020, duke shtuar se prokuroria kishte në dispozicion letrën e tij të plotë.
Më pas erdhi një telefonatë. Në shkurt të vitit 2023, rrëfen ai, Prokuroria e Dhomave të Specializuara e kontaktoi përmes Viber-it, i verifikoi identitetin dhe e njoftoi se procesi në rastin e Thaçit dhe të tjerëve pritej të nisej në mars, se ai ishte dëshmitar i Prokurorisë dhe se radha e tij do të vinte "në fund të vitit 2023 ose 2024". Sipas Zyberajt, iu kërkua gjithashtu të njoftonte Prokurorinë nëse mbrojtja do të tentonte ta kontaktonte.
Ai thotë se e mori këtë si konfirmim dhe priti. Thirrja nuk erdhi kurrë. Ndonëse ishte intervistuar në vitin 2020, Zyberaj mbeti jashtë dëshmitarëve të Prokurorisë, dhe sipas tij, gjatë gjithë kohëzgjatjes së procesit askush nuk e njoftoi se ishte hequr nga lista, as nuk e ftoi të dëshmonte.
Zyberaj këmbëngul se ajo që ka treguar tani për herën e fundit kur e pa Allaqin është pjesë e dëshmisë që ua ka dhënë autoriteteve.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

