Ish-deputeti i LVV-së, Ismajl Kurteshi, akuzon udhëheqësit politikë se e kanë bllokuar formimin e institucioneve të Kosovës dhe kërkon marrëveshje: "As inatet, as lakmia por marrëveshja është zgjidhja."

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Ismajl Kurteshi, ka dalë me një thirrje publike për një marrëveshje politike që do të mundësonte tejkalimin e krizës dhe formimin e institucioneve të Kosovës, duke akuzuar drejtpërdrejt klasën udhëheqëse se po e mban vendin peng.
"Askush, me asgjë, nuk mund ta arsyetojë mbajtjen peng të Kosovës", shkroi Kurteshi. Sipas tij, qytetarët po presin prej kohësh një zgjidhje që duhej të kishte ardhur më herët nga ata që morën besimin për të udhëhequr vendin: "Ka kaluar shumë kohë që Kosova është bërë sy e vesh, qytetarët po presin me padurim marrëveshjen që është dashur të arrihet kaherë, nga ata që e fituan besimin e qytetarëve që ta udhëheqin vendin."
Kurteshi e cilësoi bllokadën si të pajustifikueshme dhe e paralajmëroi koston e saj. "Vendi nuk udhëhiqet duke e bllokuar atë, as duke u munduar që njëra palë ta mund palën tjetrën", tha ai, duke shtuar se "Kosova pa institucione stabile, jo vetëm se nuk fiton por humb jashtëzakonisht shumë, këtë e din pothuajse të gjithë".
Për ish-deputetin, përgjegjësia bie mbi ata që u zgjodhën për të ndërtuar institucionet, e jo për t'i penguar ato. "Se ata që e morën besimin që ta udhëheqin vendin, nuk po e kuptojnë se janë të obliguar të angazhohen që t'i ndërtojnë institucionet e jo ta bllokojnë formimin e tyre, tanimë është evidente", shkroi ai. Rrugën e mbetur pas dy vitesh, sipas tij, e ka nxjerrë vetë përvoja: "Se a mund të arrihet marrëveshja, për ndërtimin e institucioneve, me akuza të ndërsjella e pa u ulë me gjet zgjidhje? Përgjigjen e kemi nxjerrë nga përvoja e dy viteve të fundit."
Kurteshi iu referua edhe një postimi të bërë këto ditë nga ish-ministri Armend Meha, të cilin e mori si udhërrëfyes. Meha, sipas citimit të tij, ka shkruar se "duhet të dimë të ulemi në një tryezë, të flasim, të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë rrugën e përbashkët". "Atë që e tha Armendi po e kërkon populli", shtoi Kurteshi.
Ai e vlerësoi zgjidhjen si të thjeshtë, por të penguar nga mungesa e vullnetit: "Siç po shihet dalja nga kriza është e thjeshtë. Por as gjërat e thjeshta nuk mund të arrihen kur mungon vullneti." Sipas tij, "Vullneti mungon jo se udhëheqësit nuk e duan Kosovën, por se inatin dhe lakminë i kanë më të mëdha se vullnetin."
Ish-deputeti mbylli me një thirrje për t'i lënë anash mëritë. "Ata që e duan Kosovën duhet t'i lënë anash edhe lakminë edhe inatet, sepse asgjë më e madhe sa dashuria për Kosovën nuk bën të jetë", shkroi ai, duke theksuar se "Ata që nuk mund të bëhen bashkë, për hir të interesave të Kosovës, nuk e kanë vendin në parinë e Kosovës". Mesazhi i tij përfundimtar ishte i prerë: "As inatet, as lakmia por marrëveshja është zgjidhja."
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

