Teherani vendos vijën e kuqe për rihapjen e arteries më strategjike të naftës në botë, ndërsa lufta me SHBA-në dhe Izraelin nuk shuhet dhe ndërmjetësit shtojnë përpjekjet.

Ngushtica e Hormuzit, arteria nga ku kalon një pjesë e madhe e naftës botërore, mbetet e mbyllur — dhe Teherani nuk ka ndërmend ta hapë pa i marrë atë që kërkon nga Uashingtoni. Të martën, zyrtari më i lartë i sigurisë iraniane e riafirmoi këtë qëndrim pikërisht ndërsa lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit nuk jepte asnjë shenjë ftohjeje, pavarësisht pohimeve të përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump se një marrëveshje ishte afër.
Mohsen Rezaei, i emëruari i ri në krye të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, i tha ambasadorit të Kinës në Teheran se Uashingtoni duhet t’i japë fund fushatës së tij ushtarake dhe të lirojë fondet iraniane të bllokuara jashtë vendit para se ngushtica të rihapet plotësisht. “Për sa kohë SHBA-ja nuk e ndryshon sjelljen e saj dhe nuk i pranon kushtet e Iranit, Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet”, tha Rezaei, sipas mediave iraniane.
Në një postim në rrjetin X, ai renditi kushtet e Teheranit: fund të bllokadës detare amerikane mbi portet iraniane dhe një armëpushim në të gjithë rajonin, përfshirë Gazën dhe Libanin. “Mesazhi i IRANIT është i qartë”, shkroi ai. “Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet derisa SHBA-ja t’i japë fund luftës dhe bllokadës, të lirojë asetet e ngrira të Iranit dhe të bjerë dakord për një armëpushim në të gjithë rajonin, përfshirë Libanin dhe Gazën.” Dhe shtoi: “Deri sa të plotësohen të gjitha kushtet, Ngushtica do të mbetet e mbyllur.”
Nga Uashingtoni nuk pati koment të menjëhershëm. Trump ka lëkundur mesazhet e tij gjatë gjithë konfliktit, mes kërcënimeve për përshkallëzim dhe premtimeve për një paqe të afërt. Në një intervistë të transmetuar vonë të hënën për “Real America’s Voice”, ai la të kuptohej se pasiguria mund të zgjasë ende: mund thjesht të “çapitet përpara” (“bop along”) dhe ta lërë Teheranin të dështojë ekonomikisht, ose t’i “godasë” (“hit”) “vërtet, vërtet fort” (“really, really hard”). “Në njëfarë mënyre po negocioj”, tha Trump. “Janë negociatorë shumë dinakë.”
Ndërkohë, në Teheran zhvillohej diplomacia. Presidenti iranian Masoud Pezeshkian dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi u takuan me ministrin e Brendshëm të Pakistanit, Mohsin Naqvi, duke diskutuar, sipas presidencës iraniane, forcimin e lidhjeve politike, ekonomike, tregtare, kulturore dhe të sigurisë. Vizita e Naqvit vjen teksa Islamabadi ndërmjetëson përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.
Katari, një tjetër ndërmjetës, njoftoi më herët se bisedimet mes Iranit dhe Omanit për lundrimin në Ngushticën e Hormuzit kishin arritur një fazë të avancuar. “Kemi dëgjuar deklarata pozitive nga të dyja kryeqytetet gjatë ditëve të fundit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari. “Prioriteti ynë kryesor këtu është rihapja e ngushticës, ruajtja e armëpushimit dhe sigurimi që të mund të ecim përpara drejt negociatave.” Nga ana e tij, Irani sqaroi se çdo marrëveshje mes tij dhe Omanit për rrugët në ngushticë nuk do të ketë ndikim mbi rihapjen e ujërave.
Ndërsa diplomacia lëviz, deti mbetet i nxehtë. SHBA-ja dhe rebelët hutitë në Jemen kryen sulme ndaj anijeve në Gjirin Persik dhe në Detin e Kuq. Veçmas të martën, Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se një helikopter i Marinës amerikane MH-60 lëshoi dy raketa Hellfire për të çaktivizuar mekanizmin e drejtimit të një anijeje ngarkese me flamur të Panamasë në Gjirin e Omanit. Sipas saj, anija kishte injoruar paralajmërime të përsëritura për të ndalur shkeljen e bllokadës detare amerikane mbi portet iraniane.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

