Parlamenti iranian miratoi dispozitat bazë të një projektligji që ndalon ose kushtëzon kontaktet me media, universitete, ambasada dhe organizata të huaja, me dënime deri në dy vjet burg për një intervistë të dhënë një mediumi të shpallur "armiqësor".

Një intervistë e dhënë një televizioni me seli jashtë vendit mund të kushtojë deri në dy vjet burg. Kjo është një nga masat e parashikuara në projektligjin e ri iranian, dispozitat bazë të të cilit u miratuan nga parlamenti i vendit, në versionin e votuar javën e kaluar, më 16 gusht.
Teksti vendos kufizime të gjera mbi lidhjet me institucionet e huaja. Sipas versionit të miratuar, kontaktet me mediat e huaja, bashkëpunimi me universitetet dhe institucionet kërkimore jashtë vendit, komunikimi me ambasadat dhe organizatat e huaja, si dhe marrja e mbështetjes financiare nga jashtë, mund të ndalohen ose të kërkojnë leje paraprake. Për shkeljen e ligjit parashikohen dënime me burg.
Një pjesë e projektligjit parashikon dënime nga gjashtë muaj deri në dy vjet burg për dhënien e intervistave për media ose për bisedë me to, nëse autoritetet i shpallin ato "armiqësore ndaj Republikës", sipas agjencisë Reuters.
Projektligji nuk është ende ligj. Teksti duhet të marrë miratimin përfundimtar dhe të kalojë përmes Këshillit të Rojtarëve me 12 anëtarë. Në Iran mbahen formalisht zgjedhje për parlament, por çdo kandidat duhet të miratohet nga ky këshill, i cili është besnik i klerikëve në pushtet të Republikës Islamike.
Mbështetësit e projektligjit argumentojnë se ai është përgjigje ndaj aktiviteteve të shtuara të shërbimeve inteligjente, qeverive dhe institucioneve të huaja. Sipas tyre, spiunazhi tashmë mbulohet nga ligjet iraniane, por mungon një kornizë e qartë ligjore për të trajtuar çështjen e "ndikimit" të huaj.
Sina Jusefi, avokat iranian dhe ekspert juridik me seli në Gjermani, thotë se ligji në shumë dispozita e lë të paqartë kufirin mes kontaktit legjitim dhe ndikimit të huaj, çka do ta linte praktikisht interpretimin e këtij kufiri në duart e institucioneve të sigurisë dhe gjykatave. "Kur qytetari nuk e di nëse biseda me media të huaja, bashkëpunimi me një universitet të huaj ose ndarja e informacioneve mund të trajtohen më vonë si vepër penale, ligji krijon një atmosferë frike dhe pasigurie", deklaroi Jusefi.
Irani ka tashmë një nga mjediset mediatike më represive në botë dhe renditet i 177-ti nga 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave për vitin 2026, të publikuar nga Reporterët pa Kufij (RSF). Qeveria menaxhon të gjitha rrjetet televizive dhe radiofonike, mediave të huaja u ndalohet transmetimi i programeve në Iran, ndërsa autoritetet shpesh bllokojnë internetin dhe rrjetet sociale gjatë trazirave civile, siç ndodhi gjatë shtypjes së përgjakshme të protestave në janar 2026. Reporterët pa Kufij vlerësojnë se qasja në informacion brenda Iranit është "seriozisht e kufizuar", ndërsa gazetarët punojnë nën bombardime dhe njëkohësisht janë të ekspozuar ndaj presionit të institucioneve shtetërore.
Parviz Jari, gazetar që jeton në Gjermani dhe bashkëpunëtor në organizatën jofitimprurëse "Defending Free Flow of Information" (DeFFI), e cila ndjek ngacmimin e gazetarëve në Iran, e vlerëson projektligjin si vazhdimësi të përpjekjeve të Republikës Islamike për të kufizuar lirinë e shprehjes. "Republika Islamike përdor një spektër të gjerë mjetesh dhe metodash për të penguar rrjedhën e lirë të informacionit dhe për të kufizuar lirinë e shprehjes. Megjithatë, përhapja e rrjeteve sociale dhe aktivitetet e shtëpive mediatike dhe organizatave për të drejtat e njeriut jashtë Iranit e kanë zvogëluar ndikimin e narrativave zyrtare mbi opinionin publik", tha ai.
Sipas Jarit, projektligji mund t'ua vështirësojë edhe më shumë mediave të pavarura dhe organizatave ndërkombëtare qasjen në informacion nga Irani. "Kriminalizimi i formave të reja të veprimtarisë së gazetarëve, qytetarëve dhe studiuesve, nga njëra anë, përbën përpjekje për të kufizuar qasjen e mediave të pavarura dhe organizatave ndërkombëtare në burime të dorës së parë, ndërsa nga ana tjetër, përpjekje për të forcuar shtrirjen e aparatit propagandistik të Republikës Islamike", tha ai. Ai paralajmëroi se pasojat për gazetarët dhe studiuesit mund të jenë veçanërisht të mëdha nëse projekti bëhet ligj: "Nëse miratohet përfundimisht, projektligji do të kriminalizonte një gamë të paparë deri më tani kontaktesh me mediat opozitare dhe organizatat ndërkombëtare, me sa duket me qëllim pengimin e punës profesionale të gazetarëve dhe studiuesve, ashpërsimin e monopolit shtetëror mbi informacionin dhe forcimin e narrativave zyrtare".
Një nga dispozitat më domethënëse të tekstit prek bashkëpunimin shkencor dhe akademik me subjektet e huaja. Neni 5 e ngarkon Ministrinë e Punëve të Inteligjencës që çdo vit të publikojë listën e universiteteve dhe institucioneve të huaja të miratuara për bashkëpunim shkencor dhe kërkimor.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

