Vonesa në dorëzimin e materialeve, kufizime në ballafaqim dhe prova të patestuara: një institut në Kosovë ka katalogizuar 1,375 gjetje nga procesi para Dhomave të Specializuara dhe kërkon që organet kompetente të vlerësojnë nëse ato kanë ndikuar në drejtësinë e aktgjykimit.

Jo më pak se 1,375 gjetje të klasifikuara, të renditura një e nga një në një Regjistër Procedural. Ky është thelbi i Vlerësimit Institucional Transatlantik që Instituti për Mbrojtjen e Vlerave Demokratike (IPDV) ka publikuar për procesin gjyqësor para Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykata që ka selinë në Hagë.
Instituti vetë paralajmëron kundër leximit të thjeshtuar të kësaj shifre. Sipas IPDV-së, 1,375 nuk do të thotë 1,375 shkelje të konstatuara nga gjykata. Në regjistër janë përfshirë shkelje ose gabime të konstatuara, mangësi të pranuara apo të korrigjuara, problematika procedurale të dokumentuara, pretendime dhe kundërshtime të palëve, masa korrigjuese, çështje të provave dhe të pranueshmërisë, por edhe raste të shqyrtuara nga gjykata ku nuk është gjetur asnjë shkelje.
Ndarja e brendshme e regjistrit tregon ku përqendrohen shqetësimet. Grupi më i madh, me 311 çështje, lidhet me provat dhe pranueshmërinë e tyre. Pasojnë 254 shqetësime procedurale të dokumentuara, 228 pretendime dhe kundërshtime procedurale të paraqitura nga Mbrojtja dhe 206 çështje të tjera procedurale. Regjistri evidenton gjithashtu 67 vendime për mbrojtjen e të drejtave dhe proporcionalitetin, 57 vlerësime analitike për ndikimin e mundshëm, 20 shqyrtime gjyqësore për paraburgimin ose lirimin, si dhe urdhra të ndryshëm për administrimin e çështjes. Këto çështje trajtohen në Kapitullin 8 të vlerësimit.
IPDV liston edhe problemet që, sipas tij, meritojnë vëmendje të veçantë: zbulimin apo dorëzimin me vonesë të materialeve, mangësitë në njoftim, kufizimet në ballafaqim, përdorimin e deklaratave të mëparshme ose të provave të patestuara, besueshmërinë dhe prejardhjen e materialeve, si dhe garancitë procedurale.
Kërkesa e Institutit është që këto çështje t'i nënshtrohen kontrollit juridik nga organet kompetente dhe, aty ku ka vend, të shqyrtohet efekti i tyre kumulativ. Sipas vlerësimit, pyetja që duhet të marrë përgjigje është nëse efekti i kombinuar i këtyre çështjeve mund të ketë ndikuar materialisht në drejtësinë e procesit ose në qëndrueshmërinë e gjetjeve të aktgjykimit.
Një pjesë e veçantë e dokumentit ndalet te marrëdhënia mes përgjegjësisë penale individuale të të akuzuarve dhe atribuimit më të gjerë ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). IPDV argumenton se përgjegjësia penale duhet të mbetet individuale dhe të mbështetet në prova për veprimin, kontributin, dijeninë dhe elementin mendor të secilit person. Pozita drejtuese, autoriteti apo përkatësia në UÇK, sipas Institutit, mund të kenë rëndësi provuese, por nuk mund ta zëvendësojnë provën individuale.
Pikërisht këtu IPDV thotë se identifikon një "kontradiktë potencialisht substanciale". Nga njëra anë, UÇK-ja formalisht nuk është objekt i përgjegjësisë penale. Nga ana tjetër, sipas Institutit, një pjesë e arkitekturës mbi të cilën është ndërtuar përgjegjësia e katër të akuzuarve lidhet me pozitat e tyre brenda UÇK-së dhe me "qëllimin e përbashkët kriminal" të konstatuar nga Trupi Gjykues. IPDV paralajmëron se kjo hap rrezikun që interpretimi të zgjerohet drejt karakterizimit të vetë UÇK-së, të luftës në Kosovë dhe të rolit të demokracive perëndimore gjatë asaj lufte.
Vlerësimi rikthehet edhe te origjina e pretendimeve për trafikim organesh. Sipas dokumentit, këto pretendime ishin të njohura për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë gjatë mandatit të Carla Del Pontes, ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, por, sipas IPDV-së, nuk ishin substancuar dhe nuk kishin prodhuar asnjë aktakuzë. Del Ponte i bëri publike në vitin 2008, në librin e saj "The Hunt" (Gjuetia).
Më pas, Dick Marty u caktua raportues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. IPDV nënvizon se raporti i tij i vitit 2011 ishte një raport parlamentar-hetimor që kërkonte hetime të mëtejshme, jo një aktakuzë. Instituti veçon se pretendimi për trafikim organesh nuk u shndërrua kurrë në akuzë penale dhe se Dhomat e Specializuara vazhduan me akuza për krime të tjera.
Dokumenti mban statusin "Përgatitur për qarkullim institucional" dhe IPDV ka nisur ta shpërndajë atë në Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë, duke synuar si nivelet politike, ashtu edhe ato institucionale.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

