Pas muajsh hetimesh, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka urdhëruar ndalimin e një personi të dyshuar se ua shiste informatat zyrtare për prona personave të paautorizuar. Sipas prokurorisë, synimi ishte tjetërsimi i pronave me vlerë shumë të madhe.

Informata zyrtare për prona të caktuara, të dhëna personave që nuk kishin të drejtë t'i kishin, në këmbim të ryshfetit. Ky është dyshimi për të cilin Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet N.A.
Ndalimi u urdhërua nga Prokurori i Shtetit, pas hetimeve disamujore të zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës. Arrestimin e realizoi Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, ndërsa rasti trajtohet nga Departamenti për Krime të Rënda i prokurorisë.
Sipas prokurorisë, N.A. dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer tri vepra penale: keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, marrjen e ryshfetit sipas nenit 421 dhe zbulimin e fshehtësisë zyrtare sipas nenit 426. Prokuroria nuk ka bërë publik as postin që mban i ndaluari, as identitetin e personave të tjerë të përfshirë.
Pas informatave të rrjedhura, sipas të dhënave fillestare të hetimit, qëndronte një objektiv konkret: pronat. "Këto veprime dyshohen se janë kryer me qëllim të tjetërsimit të pronave, vlera e të cilave dyshohet të jetë shumë e madhe", thuhet në njoftimin e prokurorisë, pa u përcaktuar shuma e saktë.
Hetimet nuk mbyllen me këtë ndalim. "Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit", ka njoftuar institucioni.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

