Banorët e fshatit Whelford u larguan nga shtëpitë ndërsa ekspertët e ushtrisë për çaktivizimin e eksplozivëve kontrollojnë disa automjete pranë një baze ajrore që strehon Forcat Ajrore të SHBA-së. Policia thotë se disa burra janë arrestuar sipas Ligjit për Lëndët Plasëse.

Ekipi i specializuar i ushtrisë për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese po kontrollon disa automjete në Whelford, një fshat pranë bazës ajrore RAF Fairford, ku autoritetet kanë shpallur një "incident madhor". Baza strehon Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara.
Sipas Policisë së Gloucestershire, disa burra janë arrestuar të dyshuar për vepra penale sipas Ligjit për Lëndët Plasëse. Numri i të arrestuarve dhe identiteti i tyre nuk janë bërë publike.
Banorët e fshatit u evakuuan nga shtëpitë dhe u dërguan në një qendër sportive e rekreative, ndërsa hetimet vazhdojnë. Zona është rrethuar me kordon policor.
"Një numër pronash po evakuohen aktualisht në zonën e Whelford, pas shpalljes së një incidenti madhor", deklaroi policia. "Kjo pason arrestimin e disa burrave, të dyshuar për vepra penale sipas Ligjit për Lëndët Plasëse."
Në vendngjarje u pa një prani e madhe e shërbimeve emergjente, përfshirë një Ekip Reagimi për Zona të Rrezikshme, njësi e specializuar për ndërhyrje në mjedise me rrezik të lartë.
Pavarësisht shkallës së operacionit, policia thotë se oficerët besojnë se incidenti është nën kontroll. "Po punojmë ngushtë me partnerët tanë dhe po zbatojmë planet e mirëprovuara që kemi në dispozicion", shtoi Policia e Gloucestershire.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

