Agjencia amerikane e imigracionit planifikon të blejë mijëra doreza që lëshojnë goditje elektrike të dhimbshme mbi lëkurë. Prodhuesi i quan "humane", ndërsa mbrojtësit e të drejtave civile paralajmërojnë "recetë për dëmtimin e publikut".

Agjencia amerikane për imigracionin dhe doganat (ICE) planifikon të shpenzojë deri në 20 milionë dollarë për të blerë mijëra doreza që mund të lëshojnë goditje elektrike të dhimbshme mbi personat që ndalon. Blerja pritet të finalizohet deri në mars, sipas një njoftimi të publikuar të hënën nga Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare.
Pajisjet quhen "Glove" (nga anglishtja "Generated Low Output Voltage Emitter", lëshues i tensionit të ulët të gjeneruar) dhe prodhohen nga kompania Compliant Technologies LLC me seli në Lexington të Kentakit. Ato funksionojnë si një palë doreza të zakonshme deri në momentin kur oficeri shtyp një çelës për të aktivizuar modalitetin elektrik. Për të lëshuar stimulin e dhimbshëm, doreza duhet të vihet drejtpërdrejt në kontakt me lëkurën e personit.
Sipas prodhuesit, "shqetësimi i lidhur me stimulimin është zakonisht efektiv në sjelljen e individëve në përputhje brenda më pak se tre sekondave dhe nuk lë djegie, shenja apo cikatrice". Kompania e ka reklamuar pajisjen si një "zgjidhje humane, me pak dukshmëri, për de-përshkallëzim për shumë situata me të cilat përballen burrat dhe gratë tona në uniformë".
Dorezat janë përdorur më parë në mjedise si burgjet në Shtetet e Bashkuara. John Peters, president i Institutit për Parandalimin e Vdekjeve në Paraburgim, i cili po studion mënyrën se si është përdorur pajisja, e përshkroi ndjesinë e goditjes: "Është e menjëhershme dhe e mprehtë, dhe do të të shpërqendrojë. E quaj si një thumbim blete", tha ai. "Nëse oficeri po has çfarëdo lloj rezistence nga personi, kjo është sigurisht një mjet efektiv." Peters vlerësoi se blerja e planifikuar nga ICE ka të ngjarë të jetë më e madhja e kompanisë deri më sot dhe se dorezat mund të përdoren për të nxjerrë persona mospërfillës nga makina e shtëpi, si dhe brenda e jashtë qendrave të ndalimit.
Plani ka shkaktuar shqetësim te mbrojtësit e të drejtave civile, të cilët thonë se oficerët e ICE-së tashmë përballen me kritika për përdorimin e forcës me pak mbikëqyrje ose llogaridhënie, në kuadër të fushatës së ashpër ndaj imigracionit të presidentit Donald Trump. Jenn Rolnick Borchetta, zëvendësdrejtore e projektit për policimin në Unionin Amerikan për Liritë Civile (ACLU), vuri në dyshim përdorimin e këtyre pajisjeve në zbatimin e ligjeve civile të imigracionit.
"ICE kaloi vitin e fundit duke i treguar këtij vendi se janë tepër të shpejtë në përdorimin e forcës. Tani do të mund të lëshojnë goditje elektrike me një shtytje të lehtë të një butoni, që ndoshta askush tjetër nuk mund t’i shohë duke e bërë", tha ajo. "Prezantimi i dorezave që mund të përdoren kaq lehtë për të shkaktuar dhimbje të tmerrshme në ndeshjet me qytetarë është një recetë për dëmtimin e publikut."
Vetë prodhuesi paralajmëron se pajisja nuk duhet përdorur si ndëshkim, kundër personave që shfaqin thjesht "kundërshti apo agresivitet verbal", ose ndaj popullatave me rrezik të lartë si fëmijët, gratë shtatzëna apo të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.
I kontaktuar për këtë çështje, Jeff Niklaus, themelues dhe drejtor ekzekutiv i Compliant Technologies, u përgjigj përmes një email-i: "Fatkeqësisht, nuk jemi në gjendje të flasim për këtë temë."
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

