Një mosmarrëveshje në rrugën "Beqir Kastrati" në Gjakovë përfundoi me të shtëna drejt katër personave, njëri prej tyre i mitur. I dyshuari, edhe ai i mitur, u largua, ndërsa bastisja e shtëpisë së tij nuk nxori asgjë të dyshimtë.

Katër meshkuj, njëri prej tyre i mitur, kanë denoncuar në Policinë e Kosovës se dje në mbrëmje dikush ka shtënë me armë zjarri drejt tyre në rrugën "Beqir Kastrati" në Gjakovë. Sipas policisë, i dyshuari për të shtënat është gjithashtu i mitur.
Ngjarja, sipas ankuesve, ka nisur nga një mosmarrëveshje mes disa personave. "Katër ankuesit meshkuj kosovarë, njëri i mitur, kanë raportuar se pas një mosmarrëveshjeje, i dyshuari mashkull kosovar, i mitur, kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre dhe kishte ikur në drejtim të panjohur", thuhet në raportin policor.
Hetuesit nuk kanë gjetur asnjë gëzhojë në vendin ku thuhet se janë shkrepur armët. Me urdhër të prokurorit, policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit, por as aty nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Policia nuk ka bërë të ditur nëse ka të lënduar apo nëse i dyshuari është arrestuar.
Një banesë pranë një dyqani telefonash dyshohet se shërbente si depo e fshehtë. Dogana e Kosovës sekuestroi aty dhe në lokal 113 telefona mobilë që dyshohet se kanë hyrë në vend si kontrabandë.

