Njeriu që mori përgjegjësinë për sulmin ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku u pa krah Danilo Vuçiqit para një tubimi parazgjedhor të SNS-së. BE dhe NATO prej kohësh i kërkojnë Serbisë ta mbajë përgjegjës.

Milan Radoiçiq, një nga personat në kërkim nga Interpoli për sulmin terrorist në Banjskë, është filmuar pranë Danilo Vuçiqit, djalit të ish-presidentit të Serbisë, para sallës “Jezero” në Kragujevc, ku Partia Përparimtare Serbe (SNS) mbajti një tubim parazgjedhor. Pamjet janë xhiruar dhe publikuar nga mediumi serb N1.
Në video, Vuçiq mbërrin në tubim i shoqëruar nga disa automjete me drita sinjalizuese. Pak më pas, ai dhe Radoiçiq shihen bashkë jashtë sallës.
Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Srpska, mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në dhjetor të vitit 2023, Organizata Ndërkombëtare e Policisë, Interpol, lëshoi urdhërarrest për të dhe për 11 persona të tjerë në lidhje me atë sulm.
Bashkimi Evropian dhe NATO i kanë bërë thirrje në vazhdimësi Serbisë që Radoiçiqin dhe pjesëtarët e grupit që ai udhëhoqi t'i mbajë përgjegjës për ngjarjet në Banjskë.
Dosja e tij nuk mbyllet me kaq. Prej gati pesë vitesh, Radoiçiq dhe një tjetër biznesmen serb, Zvonko Veselinoviq, janë nën sanksionet amerikane për akuza që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Emri i tij është përfolur edhe më parë në kontekstin e fushatave të SNS-së. Sipas raportimit të të njëjtit medium serb, Radoiçiq dhe një grup njerëzish kishin frikësuar banorët e Kosjeriqit, në Serbi, gjatë zgjedhjeve lokale atje: “Vitin e kaluar, në Kosjeriq u mbajtën zgjedhjet lokale. Dëshmitarët okularë, si dhe grupi qytetar «Njerëz të ndershëm për një Kosjeriq të pastër», deklaruan se Milan Radoiçiq kishte qenë i pranishëm atje, në prag të tubimit të SNS-së, për një vizitë që e cilësuan si «kërcënuese». Sipas dëshmive të banorëve të kësaj komune, Radoiçiqi kishte mbërritur në Kosjeriq me një grup njerëzish, me disa automjete fuoristradë. Ata kishin vizituar kafene, ishin takuar me zyrtarë lokalë dhe, gjatë qëndrimit të tyre, kishin frikësuar e kërcënuar qytetarët”.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

