Joshua Kerry, 28 vjeç, i cili tashmë përballet me akuzën për vrasjen e ish-ministres britanike Ann Widdecombe, akuzohet tani se ka përgatitur akte terroriste, përfshirë kundër liderit të Reform UK, Nigel Farage. Ai pritet të dalë para gjykatës të mërkurën.

Burri i akuzuar për vrasjen e ish-ministres konservatore britanike Ann Widdecombe përballet tani me një akuzë të dytë, edhe më të rëndë në planin e sigurisë: përgatitje të akteve terroriste, ndër të tjera kundër Nigel Farage, liderit të partisë Reform UK.
Sipas policisë kundërterroriste në Mbretërinë e Bashkuar, Joshua Kerry, 28 vjeç, u ngarkua të premten me një akuzë për përgatitje të akteve terroriste. Akuza lidhet me veprimtari që pretendohet të jetë zhvilluar nga maji i vitit 2024 deri në korrik të vitit 2026.
Kerry ishte akuzuar që në korrik për vrasjen e Widdecombe, 78 vjeç, e cila pas karrierës në Partinë Konservatore ishte bërë zëdhënëse e Reform UK. Ajo u gjet e vdekur të enjten, më 9 korrik, në shtëpinë e saj në Haytor të kontesë Devon, me plagë të rënda.
Zëvendësndihmëskomisionerja e Policisë Kundërterroriste, Vicki Evans, e cilësoi akuzën e re si rezultat i një hetimi "jashtëzakonisht intensiv dhe kompleks". "Ky hetim është udhëhequr nga një ekip i përkushtuar detektivësh, analistësh dhe ekspertësh të mjekësisë ligjore, që kanë punuar në shumë drejtime hetimi, gjë që ka çuar në këtë akuzë shumë të rëndë", shtoi ajo.
Nga ana e prokurorisë, Frank Ferguson, nga Divizioni për Krime të Veçanta dhe Kundërterrorizëm i Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës, deklaroi se prokurorët kanë "bashkëpunuar ngushtë" me policinë për ngritjen e akuzës dhe se do të vazhdojnë të punojnë krah saj, ndërsa hetimi mbetet i hapur.
Widdecombe ishte një figurë e njohur e politikës britanike. Ajo shërbeu për 23 vjet si deputete konservatore e Maidstone në kontenë Kent dhe në vitet '90 mbajti poste ministrore në qeverinë e ish-kryeministrit Sir John Major. Pasi u largua nga Dhoma e Komunave, ajo u shfaq në programin televiziv të vallëzimit Strictly Come Dancing, para se t'i bashkohej Reform UK si zëdhënëse.
Sipas policisë, Kerry pritet të paraqitet para gjykatës të mërkurën për akuzën e terrorizmit. Për të dyja akuzat ai konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

