Pasi morën një pjesë të gjatë të bregdetit të Detit të Kuq, hutitë e mbështetur nga Irani kanë nisur një ofensivë të re për të këputur forcat qeveritare në qendër të Jemenit. Arabia Saudite përgjigjet me avionë dhe raketa, ndërsa kërkesat e saj për sulme ajrore amerikane kanë mbetur pa përgjigje.

Beteja për Jemenin ka hyrë në një fazë të re. Militantët hutitë, grup i armatosur jemenas i mbështetur nga Irani, kanë nisur një ofensivë të gjerë me synim këputjen e forcave qeveritare në pjesën qendrore të vendit, pas një muaji në të cilin ata u futën me forcë në konfliktin e Lindjes së Mesme: pushtuan një brez të gjatë të bregdetit të Detit të Kuq, goditën me raketa dhe dronë infrastrukturën energjetike saudite dhe fundjavën e kaluar shënjestruan kryeqytetin saudit, Rijadin.
Sipas disa analistëve, objektivi përfundimtar i hutive është kontrolli i të gjithë vendit.
Arabia Saudite ka nisur të vendosë avionë luftarakë dhe raketa për të frenuar përparimin e grupit drejt jugut, në drejtim të qytetit portual të Adenit, ku ka selinë qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit. Kërkesat saudite për sulme ajrore amerikane që do të zhbënin fitoret e hutive nuk kanë gjetur vesh, sipas një burimi diplomatik rajonal.
Hutitë kontrollojnë tashmë ngushticën e Bab el-Mandebit në skajin jugor të bregdetit që kanë marrë. Tani po përpiqen të vënë nën kontroll rajonin malor të Taizit, ku kalojnë rrugë me rëndësi për forcat qeveritare. "Këputja e këtyre rrugëve do të kërcënonte një lidhje kyçe transporti dhe furnizimi mes zonave nën kontrollin qeveritar", thotë analisti i çështjeve jemenase, Mohammed al-Basha.
Përparimi nuk ka qenë i lehtë. Sipas Bashës, hutitë kanë hasur në rezistencë të fortë nga fiset vendase. Situata në terren mbetet e rrjedhshme dhe rreziku që hutitë të arrijnë të rrethojnë qytetin e Taizit vazhdon, por mbrojtja nuk duket të ketë pësuar një shembje të krahasueshme me atë të frontit të bregdetit perëndimor, ku një zonë e gjerë, përfshirë portin e Mokës, ra brenda pak orësh. Deri të hënën, një kryqëzim rrugor kritik që lidh Taizin me Adenin, në një zonë ku strehohen qindra mijëra persona të zhvendosur brenda vendit, mbetej në duart e qeverisë.
Më në lindje, luftime të rënda po zhvillohen në provincën e Maribit, pranë kufirit me Arabinë Saudite. Maribi është një rajon i pasur me naftë, prej kohësh në shënjestër të hutive. Sipas analistëve, forcat qeveritare jemenase kanë përdorur artileri dhe sisteme raketore, të mbështetura nga sulme ajrore saudite me intensitet në rritje, për t'i zmbrapsur hutitë, ndërsa një komandant i lartë pretendoi se trupat e tij kishin kaluar në ofensivë.
Instituti për Studimin e Luftës, një qendër studimore në Uashington, vlerësoi të premten: "Hutitë me gjasë kërkojnë ta marrin zonën për t'u përpjekur të nxjerrin dhe eksportojnë naftë përmes Detit të Kuq, gjë që mund të financonte aktivitetet politike dhe ushtarake të hutive".
Pesha e këtyre dy fronteve përmblidhet në një vlerësim të vetëm: "Qytetet e Taizit dhe të Maribit janë bastionet e Jemenit verior dhe nëse hutitë i kapin të dyja, loja ka mbaruar, por mbrojtësit e tyre po bëjnë një luftë të fortë".
Nëse hutitë synojnë të ushtrojnë presion mbi vetë Adenin mbetet e paqartë; shumë do të varet nga aftësia e forcave qeveritare për të përmirësuar koordinimin pas tërheqjes nga bregdeti perëndimor. Sipas Ibrahim Xhalalit, nga Instituti i Lindjes së Mesme në Uashington, hutitë po shmangin zhytjen në luftime urbane dhe po përpiqen të rrethojnë forcat qeveritare.
Llogaria e grupit, sipas të njëjtit lexim, nuk është fitorja ushtarake mbi Rijadin: "Hutitë nuk kanë nevojë ta mposhtin ushtarakisht Arabinë Saudite dhe pothuajse me siguri nuk munden". "Ata, megjithatë, kanë nevojë të ndikojnë se sa financim, inteligjencë, logjistikë, mbrojtje ajrore dhe potencialisht fuqi ajrore është e gatshme Rijadi t'u përkushtojë Forcave të Armatosura Jemenase, të afta të zhbëjnë fitoret e tyre në terren."
Zyrtarët hutitë janë kontaktuar për koment.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

