Ministri Andin Hoti thotë se ligji i sapomiratuar për Dhomat e Specializuara nuk prek drejtpërdrejt rastin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Sipas tij, qëllimi nuk është ulja e dënimit, por heqja e tij.

Ligji i sapomiratuar për Dhomat e Specializuara nuk pritet të sjellë ndryshime të mëdha për katër ish-krerët e UÇK-së të dënuar në shkallën e parë nga Gjykata Speciale. Këtë vlerësim e bëri ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, në një deklaratë pas mbledhjes së Qeverisë.
Hoti tha se e kishte lexuar ligjin e ri dhe e kishte krahasuar me atë paraprak, pa gjetur dispozita që, sipas tij, do të ndikonin drejtpërdrejt në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Rasti i tyre ndodhet tani në fazën e apelit.
"Nuk pres shumë ndryshim nga një projektligj i tillë. Unë e kam lexuar dhe e kam krahasuar me ligjin aktual", tha Hoti. Sipas tij, ligji nuk ia mohon Gjykatës Speciale të drejtën për të gjykuar "një grupi të organizuar kriminal, siç i quajnë ata", ndërsa parashikon që dispozitat e reja nuk vlejnë për ata që janë dënuar tashmë.
Ministri e lidhi pikërisht me këtë fakt kufizimin e efektit të ligjit. "Keni parasysh se keni një vendim dhe nuk janë në gjykim, dhe tash jemi në apel. Nëse ata do të ishin duke u akuzuar për një aktgjykim, ndryshimet do të kishin impakt edhe për ta, mirëpo ka vendim", shpjegoi ai, duke shtuar: "Unë jurist nuk jam" dhe se do të dëshironte që ndikimi të ishte më i madh.
Ndër ndryshimet që solli ligji, Hoti përmendi uljen e dënimit në 15 vjet, të cilën e quajti të drejtë në vetvete, me arsyetimin se praktika ndërkombëtare kërkon zbatimin e ligjit më të favorshëm për të dënuarit. Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk është ajo që kërkohet: "Por ne nuk po kërkojmë ulje të dënimit, por heqje të dënimit. Ne po konsiderojmë se është i padrejtë dënimi për udhëheqësit e UÇK-së".
Hoti u ndal edhe te reagimet e Bashkimit Evropian, të cilat i cilësoi të pritshme. Sipas tij, për ndryshimet në këtë ligj kërkohet konsultim paraprak me BE-në, por ky konsultim nuk u zhvillua gjatë hartimit. "Reagimet e Bashkimit Evropian janë të pritshme, sepse një nga pikat që potencohet edhe në Kushtetutë është se për çdo ndryshim të atij ligji theksohet që do të duhej të kishte një konsultim paraprak me BE-në. Një gjë të tillë, sa e dimë ne, nuk është se ka ndodhur gjatë hartimit të një projektligji që është hartuar për dy apo tre ditë", tha ai.
Hapi i radhës, sipas ministrit, është strategjia për procesin e apelit, e cila synohet të hartohet pas vendimit për themelimin e një grupi punues për këtë çështje. Hoti tha se puna duhet të nisë menjëherë, por pa nxitim, për të shmangur "gabime të mundshme, siç kemi parë javët e kaluara". Afat konkret nuk dha: "Një strategji e tillë do të krijohet shumë shpejt, por afat nuk mund të jap".
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

