Teherani premton ta rihapë ngushticën nga kalon nafta e botës brenda një jave, nëse Uashingtoni pranon kushtet e tij. Presidenti amerikan, sipas zyrtarëve të tij, e ka hedhur poshtë planin dhe sheh bombardime të reja pas zgjedhjeve të nëntorit.

Presidenti amerikan Donald Trump e ka refuzuar privatisht ofertën e Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe u ka thënë bashkëpunëtorëve se pret të rifillojë bombardimet mbi Iranin pas zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor. Këtë e raportoi të shtunën The Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë të paidentifikuar, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk i ka dhënë ende një përgjigje zyrtare propozimit iranian.
Oferta erdhi një ditë më parë, nga ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi. Duke folur me gazetarët në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ai tha se vendi i tij është gati ta hapë ngushticën dhe të rifillojë bisedimet për programin bërthamor brenda shtatë ditëve, në këmbim të lëshimeve nga Uashingtoni. "Nëse plotësohen disa kushte, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur në fund të shtatë ditëve dhe bisedimet do të rifillojnë", deklaroi Araghchi. "Afati shtatëditor do të fillojë sapo Shtetet e Bashkuara ta pranojnë këtë plan", shtoi ai, duke bërë të ditur se propozimi u është përcjellë amerikanëve përmes Katarit.
Çmimi që kërkon Teherani nuk është i vogël. Sipas Araghchit, Irani kërkon heqjen e bllokadës detare amerikane mbi portet iraniane, pezullimin e sanksioneve për shitjet e naftës iraniane dhe një armëpushim që të përfshijë edhe Libanin. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, i kishte renditur kushtet gjatë kësaj jave: ndalimin e asaj që Teherani i quan "akte agresioni" amerikane, fundin e bllokadës detare dhe të luftës ekonomike, si dhe lirimin e aseteve iraniane.
Trump nuk e ka komentuar publikisht ofertën. Të premten në mbrëmje, ai publikoi në rrjetin Truth Social një hartë të rajonit, në të cilën Ngushtica e Hormuzit ishte riemërtuar "Ngushtica Trump" ("Trump Strait").
Sipas zyrtarëve të cituar nga gazeta amerikane, presidenti është skeptik se Irani do t'i plotësojë kërkesat e tij dhe u ka thënë stafit se një fushatë e re bombardimesh i duket e mundshme. Ai po vë bast te një përshkallëzim i ri, jo te marrëveshja. Megjithatë, një zyrtar amerikan tha se Uashingtoni dhe Teherani vazhdojnë të negociojnë përmes ndërmjetësve, përfshirë kërkesat amerikane që synojnë ta pengojnë Iranin të zhvillojë armë bërthamore. Vetë Trump kishte deklaruar në fillim të këtij muaji se pret që lufta të përfundojë pak pas zgjedhjeve të mesmandatit dhe që çmimet e naftës të bien më pas.
Lufta nisi më 28 shkurt, me sulme ajrore amerikane dhe izraelite mbi Iranin. Që atëherë, Ngushtica e Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimin global me naftë dhe gaz natyror, është kthyer në një nga pikat më të nxehta të konfliktit. Në javët e fundit, luftimet e drejtpërdrejta mes forcave amerikane dhe iraniane janë rralluar ndjeshëm.
Fronti, megjithatë, është zhvendosur drejt jugut. Rebelët huthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, i kanë shtuar sulmet ndaj Arabisë Saudite, fqinjit të tyre dhe aleatit të SHBA-së. Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen, i njohur si Koalicioni për Mbështetjen e Legjitimitetit në Jemen, njoftoi se "kapi dhe shkatërroi" dy dronë të lëshuar nga milicia huthi drejt kryeqytetit Riad, si dhe dy raketa balistike që synonin rajonin e Khamis Mushaitit, pranë qytetit Abha në jugperëndim të vendit. Njoftimin e dha në një seri postimesh në X zëdhënësi zyrtar i koalicionit, koloneli Turki Al-Maliki.
Të shtunën e kaluar, huthitë pretenduan se kishin goditur objektiva "të ndjeshme" në Riad, pak pasi flakë dhe tym u panë pranë aeroportit kryesor të qytetit. Në fillim të këtij muaji, Arabia Saudite tha se mbrojtja e saj ajrore kishte shkatërruar një dron huthi që po fluturonte drejt qytetit të shenjtë të Mekës, pretendim që grupi e mohoi.
Pasojat ndihen në tregjet e energjisë. Lufta i ka kufizuar rëndë eksportet energjetike nga Lindja e Mesme, duke i çuar lart çmimet e naftës dhe duke ngjallur frikë për përshpejtim të inflacionit në shkallë globale. Këtë javë, ndërsa Teherani dhe Uashingtoni zhvillonin diskutime në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, çmimet ranë ndjeshëm: nafta amerikane WTI zbriti 2,3 për qind në mbylljen e fundit, në 92,41 dollarë për fuçi, ndërsa Brent ra 2,1 për qind, në 104,32 dollarë. Në bilancin javor, nafta amerikane humbi 7,9 për qind, ndërsa Brent mbeti e pandryshuar.
Rënia, megjithatë, nuk e fshin dot tronditjen e këtij viti: që nga janari, WTI mbetet rreth 61 për qind më e shtrenjtë, ndërsa Brent ka shënuar një rritje prej më shumë se 71 për qind.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

