Teherani ka njoftuar një takim të së hënës në Oman me Irakun dhe vendet e Gjirit për Ngushticën e Hormuzit, por Bahreini ka njoftuar se nuk merr pjesë. Ndërkohë, sulmet ndaj anijeve në ngushticë po shtohen.

Ngushtica e Hormuzit, arteria kryesore e naftës botërore, mbetet e bllokuar nga Teherani dhe pikërisht rreth saj do të mblidhen të hënën në Oman përfaqësues të Irakut dhe të vendeve të Gjirit, sipas njoftimit iranian. Takimi vjen në mes të një bllokade që ka trazuar furnizimet globale me energji dhe të një ngërçi diplomatik me Shtetet e Bashkuara.
Në një deklaratë të premten, Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit tha se takimi synon "të nxisë një mirëkuptim më të mirë mes vendeve të rajonit dhe të ndihmojë në forcimin e sigurisë së përbashkët rajonale".
Bllokada ka goditur veçanërisht shtetet e Gjirit, buxhetet e të cilave mbështeten në pjesën dërrmuese te nafta dhe gazi. Vendet e Gjirit e kanë akuzuar Teheranin për sulme ndaj objektivave civile, përfshirë aeroporte dhe impiante të shkripëzimit të ujit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Bagai, tha të shtunën se takimi është "një shenjë e qëllimit të mirë të Iranit, sepse ne kemi thënë gjithmonë se siguria e rajonit duhet të garantohet nga vendet e rajonit, pa ndërhyrjen e të huajve, pa ndërhyrjen e fuqive të jashtme". Ai shtoi: "Kjo është një shenjë se ne do të flasim me fqinjët tanë, pavarësisht faktit se territoret e tyre, bazat e tyre ushtarake ose bazat ushtarake të Shteteve të Bashkuara u përdorën për të sulmuar Iranin".
Sipas Bagait, Teherani do t'i "informojë delegacionet për rezultatet e konsultimeve Iran-Oman lidhur me kalimin e sigurt të anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit".
Të dielën, ministri i Jashtëm iranian, Abas Aragçi, paralajmëroi se marrëveshja e pritshme e Teheranit me Muskatin për administrimin e Ngushticës së Hormuzit nuk do të sjellë rihapjen e rrugës detare. Në komente për Al-Araby Al-Jadeed, Aragçi tha se Irani do t'u "japë vendeve pjesëmarrëse detajet e marrëveshjes me Omanin dhe hartat që lidhen me rrugën e re" gjatë takimit. Por marrëveshja, sipas tij, nuk sinjalizon "në asnjë mënyrë" se ngushtica do të rihapet, pasi Teherani pret ende që Uashingtoni të respektojë zotimet e memorandumit të mirëkuptimit 60-ditor të nënshkruar në qershor. Ai memorandum u shemb në korrik, pasi Shtetet e Bashkuara u përpoqën të shtynin drejt një rruge alternative më afër territorit oman, çka nxiti sulme iraniane.
Rreziku në ujërat e ngushticës mbetet i prekshëm: të dielën, të paktën një person u vra dhe katër të tjerë u plagosën pas një sulmi ndaj një anijeje tregtare iraniane pranë ishullit Keshm, ndërsa sulmet ndaj anijeve janë shtuar javët e fundit. Nuk është bërë e ditur kush qëndron pas këtij sulmi.
Ndërkohë, Bahreini, anëtar i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, njoftoi të shtunën përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme se nuk do të marrë pjesë: "Në dritën e asaj që është qarkulluar … Mbretëria e Bahreinit nuk do të marrë pjesë në të". Manama, duke iu referuar sulmeve ndaj infrastrukturës në Gji, theksoi se siguria dhe stabiliteti në rajon nuk mund të ruhen "përmes një politike përkëdhelje" dhe kërkoi që Hormuzi të jetë i hapur pa "diskriminim, tarifa apo leje". Ministria bahreinase tha se ruan angazhimin e saj për dialog, por "nuk do të jetë palë në asnjë takim kolektiv që përfshin Iranin përpara rifillimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve".
Bahreini ka mbajtur peshën më të rëndë të sulmeve iraniane që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit në shkurt.
Qëndrimi iranian mbetet i njëjtë: "Irani beson se përgjegjësia për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon i takon vetëm vendeve të rajonit". Iraku dhe shumica e vendeve të Gjirit ende nuk janë përgjigjur nëse do të marrin pjesë në takimin e planifikuar.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

