Qeveria po nxiton që opinioni për projektligjin e Speciales të mbërrijë në Kuvend para se të shterë afati 30-ditor, sipas ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Në të njëjtën paraqitje, ajo kërkoi mbështetje institucionale për katër ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Opinioni i qeverisë për projektligjin që lidhet me Dhomat e Specializuara të Hagës mund të jetë në tryezën e Kuvendit të Kosovës që këtë javë. Këtë e tha ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, duke iu referuar asaj që kishte paralajmëruar më herët kryeministri Kurti.
Haxhiu kujtoi se ekzekutivi, sipas rregullores administrative, ka 30 ditë në dispozicion për ta dhënë opinionin, por sipas saj, qeveria nuk synon ta shfrytëzojë të gjithë afatin. Pasi të dërgohet, dokumenti pritet të shqyrtohet në komisionet përkatëse të Kuvendit, në radhë të parë në atë për legjislacion.
"Sa i përket kësaj çështjeje, ju keni pasur mundësi që të ndiqni konferencën e kryeministrit Kurti. Tashmë, sipas kryeministrit Kurti, qeveria do të procedojë brenda kësaj jave opinionin. Ju e dini që qeveria sipas rregullores administrative ka 30 ditë në dispozicion. Me aq sa ne kemi qenë në komunikim ata po bëjnë përpjekje maksimale që brenda kësaj jave opinioni të drejtohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pastaj t’i hapet rrugë trajtimit të tij në komisionet përkatëse, sidomos për legjislacion dhe komisionet e tjera të Kuvendit të Kosovës", tha Haxhiu.
Ajo shkoi më tej, duke marrë qartë anën e katër ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Sipas Haxhiut, ata kanë nevojë për mbështetje nga institucionet e vendit.
"Ata të cilët padrejtësisht janë dënuar nga Gjykata e Hagës, pra Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, kanë nevojë për mbështetjen institucionale dhe jo që t’i lëmë të vetëm në një situatë ku është e rëndë edhe për qytetarët e Republikës, edhe për Republikën e Kosovës", deklaroi ajo.
Haxhiu u ndal edhe te protestat e zhvilluara, të cilat i cilësoi paqësore. Ajo përgëzoi qytetarët për sjelljen dhe falënderoi Policinë e Kosovës për mënyrën si e menaxhoi situatën: "Unë përgëzoj qytetarët e Republikës së Kosovës për pjekurinë që kanë treguar; protestat kanë qenë paqësore, por po ashtu duhet të falënderoj edhe Policinë e Kosovës për menaxhimin sa më të mirë të kësaj situate".
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

