Kosova ka zyrtarisht presidente të re. Një ditë pas votimit në Kuvend, Albulena Haxhiu i dorëzoi detyrën Justina Shiroka-Pulës në Zyrën e Presidencës dhe i premtoi bashkëpunim të plotë.

Çelësat e Presidencës së Kosovës kanë ndërruar duar. Albulena Haxhiu, e cila deri tani ushtronte detyrën e presidentes, ia ka dorëzuar zyrën Justina Shiroka-Pulës, presidentes së re të vendit, në një takim të mbajtur në Zyrën e Presidencës.
Shiroka-Pula u zgjodh një ditë më parë në Kuvendin e Republikës. Gjatë takimit, Haxhiu e uroi për zgjedhjen në krye të shtetit dhe e cilësoi këtë si nder për Republikën dhe për qytetarët, duke vlerësuar përvojën e saj akademike dhe kontributin e dhënë ndër vite.
"Urime edhe një herë për zgjedhjen tuaj dje në Kuvendin e Republikës. Konsideroj që është nder i madh për Republikën, por edhe për të gjithë qytetarët që në krye të këtij institucioni shumë të rëndësishëm është një grua për të cilën unë kam shumë respekt. Kryetare e Akademisë së Shkencave, një profesoreshë shumë e nderuar dhe një person që ka dhënë kontribut shumë të madh kudo që ka vepruar", tha Haxhiu.
Ajo i premtoi presidentes së re mbështetje gjatë gjithë mandatit: "Më lejoni që t'ju uroj edhe një herë përzemërsisht dhe t'ju siguroj që bashkëpunimin tim të plotë do ta keni gjithmonë". Haxhiu e mbylli me urime për shëndet dhe jetë të gjatë në detyrën e re: "E paçi shëndetin, jetën e gjatë dhe ju priftë e mbara".
Haxhiu përshëndeti gjithashtu konsensusin që Kuvendi arriti një ditë më parë, si për Ligjin për Dhomat e Specializuara, ashtu edhe për zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

