Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, shkoi në tri shtëpi: te familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi. Mesazhi i tij ishte një premtim për angazhim "deri në kthimin në atdhe të luftëtarit të fundit të lirisë".

Tri vizita në një ditë, te tri familje që presin lajme nga Haga. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka shkuar sot te familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Reagimin e tij Hamza e ka bërë publik me shkrim. "Sot isha për vizitë në familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, pas vendimit të rëndë, të padrejtë dhe të pabazuar në Hagë. I sigurova se nuk janë vetëm dhe se nuk do të jenë kurrë", ka shkruar ai, duke e cilësuar kështu vendimin e gjykatës me seli në Hagë.
Kreu i PDK-së ka thënë se dhimbjen e këtyre familjeve e ndan edhe populli i Kosovës. "Dhimbja e tyre është dhimbja jonë. Mërzia e tyre është mërzia e popullit tonë", ka deklaruar ai.
Hamza ka theksuar se angazhimi i partisë së tij për drejtësi dhe për kthimin e ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë do të vazhdojë. "Bashkë do të qëndrojmë, bashkë do të angazhohemi dhe bashkë do ta vazhdojmë betejën për drejtësi e liri, deri në kthimin në atdhe të luftëtarit të fundit të lirisë", ka shkruar ai.
Reagimin e ka mbyllur me një fjali të vetme: "Dje, sot dhe përjetësisht, çlirimtarë!"
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

