Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kërkon që Gjykata e Apelit ta mbyllë rastin mbi bazën e fakteve dhe provave, pa e kthyer në rigjykim. Pyetjen për një tërheqje të mundshme të lëndës nga Gjykata Kushtetuese ai e quajti situatë hipotetike.

"Ne po kërkojmë drejtësi." Me këtë fjali kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, përmblodhi para gazetarëve pritjet e partisë së tij nga shkalla e dytë e gjyqësorit, duke folur pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së për procedurat që vijnë në rastin për të cilin tashmë ka një vendim të shkallës së parë.
Hamza tha se shpreson që lënda të mos kthehet fare në rigjykim dhe që Gjykata e Apelit të vendosë duke u mbështetur në fakte, prova dhe drejtësi.
"Ne po presim që mos me pasë nevojë me u kthyer në rigjykim fare. Apeli me vendosë drejt për rastin mbi bazën e fakteve, provave dhe mbi bazën e drejtësisë. Ne po kërkojmë drejtësi. Edhe po duam të besojmë që Apeli ka me trajtuar mirë, me trajtuar korrekte këtë rast, me pasë gjyqtarë me integritet, profesional, që do të merren me vendimin mbi bazën e provave dhe fakteve", deklaroi ai.
Një pyetje e dytë e nxori kreun e PDK-së në një terren tjetër: mundësinë që lënda në Gjykatën Kushtetuese, e lidhur me konstituimin e Kuvendit pa nënkryetarin e kësaj partie, të tërhiqet. Hamza nuk pranoi ta trajtojë si skenar të mbyllur.
"Janë situata hipotetike të cilat mundemi me i pritë ditëve në vijim. Jo, po situatë hipotetike. Nuk tërhiqet ajo veç ashtu pa pasë nevojë, pa pasë arsye", tha ai.
Deklarata vjen ndërsa në Kuvend janë regjistruar gati të gjitha grupet parlamentare dhe pritet një seancë brenda kësaj jave.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

