Pas vendimit dënues të Gjykatës në Hagë ndaj katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, thotë se partia i ka gati 22 nënshkrime dhe është e gatshme të rikthehet në Kuvend, ndërsa mohon se kërkesa është shfuqizimi i Gjykatës Speciale.

Njëzet e dy nënshkrime, të mbajtura gati në sirtar. Kjo është karta që kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, nxori pas mbledhjes së Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të partisë, të mbajtur në ditën pas vendimit dënues të Gjykatës në Hagë ndaj katër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
"PDK i ka nënshkrimet e gatshme, domethënë 22 nënshkrime janë të gatshme, dhe varësisht prej nevojave ne do të procedojmë edhe prej situatave të krijuara", deklaroi Hamza në një konferencë për media.
Ai u kujdes të vendosë një vijë të kuqe rreth qëllimit të këtyre nënshkrimeve. Sipas Hamzës, mbledhja e Kryesisë dhe e Grupit Parlamentar nuk u zhvillua për të kërkuar shfuqizimin e gjykatës. "Ne nuk po flasim për zhbërjen e Gjykatës Speciale, po flasim për përshtatjen në një situatë të re", thotë ai.
Kreu i PDK-së theksoi njëkohësisht se partia nuk i ikën obligimeve të marrëdhënieve me këtë gjykatë, përfshirë hetimin e pretendimeve të përmbledhura në raportin e Dick Martyt, autorit të raportit mbi bazën e të cilit u krijua gjykata. "Ne nuk po i ikim obligimit që e kemi marrë, që Gjykata t'i hetojë, t'i prezantojë, t'i faktojë të gjitha gjetjet e raportit të Dick Martyt, për çka edhe është krijuar Gjykata. Dhe çkado që të ketë nga ai raport për trafikime organesh e çështje të tjera, Shtëpinë e Verdhë e dimë që ka qenë objekt i ndërtimit të atij raporti dhe bazë për krijimin e kësaj gjykate, aty do jemi, ne nuk i ikim kësaj përgjegjësie", u shpreh Hamza.
Vendimin e Hagës, ai e cilësoi të papranueshëm në thelb. "PDK sot ka diskutuar situatën pas vendimit të djeshëm të Gjykatës në Hagë. Është një konstatim i përgjithshëm se vendimi është i padrejtë, është i paqëndrueshëm, i pabazuar në fakte. Është një vendim i cili e dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Një vendim i një gjykate e cila e ka devijuar komplet drejtimin e saj në raport me atë se çka është votuar në Kuvend", tha kryetari i PDK-së.
Hamza njoftoi edhe se partia do të kërkojë koordinim me të gjithë spektrin politik, duke argumentuar se çështja e kalon kornizën e një partie të vetme dhe se beson se do të takohet me liderët e të gjitha subjekteve politike. "PDK do t'i bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme që të jemi në komunikim për shkak të ndjeshmërisë së situatës, seriozitetit, situatës ku ndodhet vendi, sepse kjo situatë i jep një mundësi që në të ardhmen, shteti agresor që ka qenë në Kosovë, Serbia, ta përdorë për dëmtimin e Kosovës", tha ai.
Zhvillimi më i drejtpërdrejtë politik ka të bëjë me vetë praninë e PDK-së në sallë. Partia e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe kishte bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit. Tani Hamza lë të hapur rikthimin, nëse thirret një seancë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së.
"Nëse ndryshojnë rrethanat, duhet të ndryshojë edhe qëndrimi ynë, ndryshojnë edhe prioritetet. Mendoj se prioriteti më i madh për këtë situatë është që ne si shtet të veprojmë në përputhje me interesat e shtetit, jo vetëm për ish-eprorët e UÇK-së, por edhe për interesat e shtetit, historisë, për të kaluarën dhe të ardhmen e shtetit. Në bazë të rëndësisë së rrethanave, ne do të sillemi në atë mënyrë. Nëse ka nevojë, ne do të jemi në Kuvend", deklaroi Hamza. Data e një seance të tillë nuk është bërë e ditur.
Reagimet nuk kufizohen në parti. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka thirrur protestë për të nesërmen në Prishtinë, ndërsa nga radhët e veteranëve u dëgjua edhe qëndrimi se dënimi shkon përtej të dënuarve: "Dje nuk u dënuan vetëm ata, u dënua UÇK-ja".
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

