Kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith, deklaroi se incidentet mbi të cilat ngrihen akuzat për krime lufte nuk mund të cilësohen si të tilla dhe se nuk u dëshmua se personat e shënjestruar përbënin popullatë civile. Në të njëjtën seancë, gjykata konstatoi kushte çnjerëzore ndalimi dhe tortura ndaj 303 personave.

Momenti që shpërtheu në duartrokitje në sheshin e Prishtinës erdhi kur kryegjykatësi Charles Smith, kryetar i Trupit Gjykues në këtë rast, lexoi se gjykata nuk është bindur se sulmet e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin drejtuar ndaj popullatës civile serbe.
"ZPS-ja nuk arriti të vërtetonte se ky sulm u drejtua ndaj një popullate civile", tha Smith, duke folur për disa sulme të caktuara. Në vijim, ai bëri një konstatim edhe më të rëndësishëm për strukturën e akuzës: "Incidentet mbi të cilat bazohen akuzat për krime lufte, nuk mund të cilësohen si krime lufte… Rrjedhimisht Trupi Gjykues konstatoi se nuk përmbushen kriteret për këtë".
Qytetarët që po ndiqnin drejtpërdrejt seancën në sheshin e Prishtinës brohoritën dhe duartrokitën pas këtij leximi.
Trupi Gjykues deklaroi gjithashtu se nuk është bindur se personat e shënjestruar mund të cilësohen si "popullatë civile", element që lidhet drejtpërdrejt me akuzat për krime kundër njerëzimit. Paraqitja e konstatimeve nisi pasi Smith përmblodhi ecurinë e procesit, kontekstin historik dhe rolet e katër të akuzuarve. Kjo pjesë e aktgjykimit përmban vlerësimet dhe përfundimet e gjykatës mbi provat dhe pretendimet e paraqitura gjatë procesit.
Në të njëjtën seancë, Smith lexoi edhe konstatime të rënda për trajtimin e të ndaluarve. Sipas tij, mes prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, 348 persona u trajtuan mizorisht nga UÇK-ja, nga të cilët 303 u torturuan.
Trupi Gjykues, sipas leximit të Smithit, konstatoi se anëtarë të UÇK-së në qendra ndalimi në Kosovë dhe në Shqipërinë veriore krijuan kushte çnjerëzore ndalimi, duke mbajtur të ndaluarit në shkolla, stalla bagëtish dhe bodrume. Ata u mbajtën në dhoma tepër të vogla, pa shtroja dhe mbulesa, dhe shumë u detyruan të shtriheshin në beton, të mbuluar nga balta apo të rrethuar me jashtëqitje njerëzish e bagëtish. Ushqimi dhe uji nuk ishin të mjaftueshëm, ndërsa në disa qendra të ndaluarit kaluan ditë të tëra pa asnjë ushqim. Me përjashtime të kufizuara, nuk u ofrua kujdes shëndetësor, nuk lejoheshin të laheshin dhe shumica nuk kishin tualet të përshtatshëm.
Smith përmendi dëshminë e një personi të mbajtur i ndaluar në Llapushnik, i cili tregoi se të ndaluarit duhej të kryenin nevojat fiziologjike në dysheme dhe më pas të përdornin një kovë si tualet. Në shumë vende, të ndaluarit u mbajtën të lidhur me zinxhir apo pranga, ose me duar e këmbë të lidhura. Një dëshmitar i mbajtur i ndaluar në Cahan tregoi se e kishin mbajtur me duar të lidhura për 20 ditë.
Sipas konstatimeve të lexuara, shumë anëtarë të UÇK-së të përfshirë në ndalim i keqtrajtuan fizikisht të ndaluarit, duke i goditur me shkelma dhe duke i rrahur me tyta pushkësh, shkopinj, bishta sëpatash, shufra metalike dhe kabllo elektrike. Të ndaluar u varën kokë poshtë nga këmbët dhe u rrahën, shumë u detyruan të rrihnin njëri-tjetrin, ndërsa disa humbën jetën si pasojë e plagëve nga rrahjet brutale.
Gjykata konstatoi edhe vuajtje psikologjike: të ndaluarit detyroheshin të shikonin dhe të dëgjonin rrahjet e të ndaluarve të tjerë. Në Llapushnik, dy të ndaluar u rrahën aq egërsisht para të tjerëve, sa të gjithë filluan të qajnë. Një i ndaluar që kishte kryer vetëvrasje u la i varur në dhomë, që ta shihnin të tjerët, dhe disa të ndaluar u detyruan të varrosnin kufomat e të ndaluarve të tjerë. Të ndaluar të tjerë u bënë objekt i ekzekutimeve të simuluara. Sipas Trupit Gjykues, këto veprime i shkaktuan të ndaluarve dëme fizike dhe psikike, ndërsa shumë prej tyre pësuan pasoja të rënda.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ish-drejtues të UÇK-së, po dëgjojnë arsyetimin e aktgjykimit të kumtuar nga Smith. Vendimi për katër ish-drejtuesit pritet në fund të një gjykimi që ka shkuar shumë përtej kuadrit ligjor: në Kosovë, ku ish-guerilasit mbeten heronj, gjykata speciale rihapi plagët e luftës.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u arrestuan dhe u dërguan në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

