Seanca vendimtare në Gjykatën Speciale nisi me përmbledhjen e biografive dhe të dhjetë akuzave kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Pas 234 ditësh gjykimi, aktgjykimi pritet të shpallet në fund të seancës.

Në sallën e Gjykatës Speciale në Hagë, kryetari i trupit gjykues, kryegjyqtari Charles Smith, hapi seancën vendimtare duke rikthyer një për një rolet që prokuroria ia atribuon katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe akuzat që rëndojnë mbi ta. Vendimi pritet të shpallet në fund të seancës, rreth dy orë pas nisjes.
Smith lexoi një biografi të shkurtër për secilin. Hashim Thaçi, i akuzuari i parë në këtë çështje, është shtetas i Kosovës, i lindur më 24 prill 1968 në Burojë të komunës së Skenderajt. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se ai ishte anëtar themelues i UÇK-së dhe i shtabit të përgjithshëm, anëtar i shtabit të përgjithshëm nga 1998 në 1999 dhe, së paku nga marsi 1998 deri në shtator 1999, shef i drejtorisë politike, kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe kryekomandant i UÇK-së.
I akuzuari i dytë, Kadri Veseli, është i lindur më 31 maj 1967 në Mitrovicë. Sipas prokurorisë së specializuar, ai ishte anëtar themelues i UÇK-së dhe i Shtabit të Përgjithshëm, anëtar i shtabit të përgjithshëm nga 1998 deri në 1999, anëtar i drejtorisë politike, shef i Drejtorisë së Zbulimit të UÇK-së dhe i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), si edhe ministër i shërbimit informativ në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.
Rexhep Selimi, i akuzuari i tretë, u lind më 15 mars 1971 në Aqarevë të komunës së Skenderajt. Prokuroria pretendon se ai ishte anëtar themelues i Shtabit të Përgjithshëm dhe anëtar i tij në periudhën 1998-1999, shef i Drejtorisë Operative të UÇK-së, inspektor i përgjithshëm i UÇK-së dhe ministër i Rendit Publik, përkatësisht i Punëve të Brendshme, në Qeverinë e Përkohshme.
I akuzuari i katërt, Jakup Krasniqi, është i lindur më 1 janar 1951 në Fatos të Negrocit, komuna e Drenasit. Sipas prokurorisë, ai ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm nga 1998 deri më 1999, anëtar i drejtorisë politike, zëdhënës dhe zëvendëskomandant i UÇK-së, si edhe zëdhënës i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Në vijim, kryegjyqtari përmblodhi akuzat. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur gjashtë akuza për krime lufte kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, veprime të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë. "Sipas ZPS-së, veprimet dhe mosveprimet për çka u ngritën akuzat kundër njerëzimit, ishin pjesë e një sulmi të përhapur sistematik kundër popullatës civile të kundërshtarëve. ZPS gjithashtu ngriti pretendimin se të akuzuarit kishin dijeni për këtë sulm dhe të akuzuarit ishin pjesë e tij", tha Smith.
Krahas tyre, prokuroria ka ngritur edhe katër akuza sipas nenit 40/1 të ligjit: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Përgjegjësia penale e të akuzuarve pretendohet sipas nenit 16/1A dhe C. Smith kujtoi po ashtu se të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës.
Procesi arriti në këtë pikë pas 234 ditësh seanca gjyqësore, gjatë të cilave trupi gjykues shqyrtoi provat, dëshmitë dhe argumentet e palëve, nga paraqitja e çështjes dhe dëgjimi i dëshmive e deri te përmbyllja e shqyrtimit gjyqësor. Fatin e katër ish-krerëve do ta vendosin katër gjyqtarë.
Ndërkohë, familjarët e të akuzuarve hynë në sallë për të dëgjuar verdiktin. Nga fshati Burojë, vëllai i Hashim Thaçit tha se "nëna është e lodhur pak", ndërsa vëllai i Jakup Krasniqit deklaroi: "Arsye për t'u dënuar nuk ka, krimet i bëri Serbia".
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

