Një aktgjykim prej 2.089 faqesh, ende pa përkthim në shqip, e ka detyruar Panelin e Apelit të Dhomave të Specializuara të zgjasë afatin për njoftimet e apelit. Data e re, 27 nëntori 2026, vlen njëlloj për Mbrojtjen dhe për ZPS-në.

Ekipet e Mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kanë kohë deri më 27 nëntor 2026 për të dorëzuar njoftimet e apelit kundër aktgjykimit të shkallës së parë. Vendimi është marrë nga Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara në Hagë, i cili e miratoi pjesërisht kërkesën e Mbrojtjes për zgjatjen e afatit.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, zgjatja nuk u dha vetëm për Mbrojtjen. Paneli miratoi të njëjtin afat edhe për ZPS-në, duke i vendosur të dyja palët para së njëjtës datë përfundimtare.
Sipas rregullave procedurale, njoftimi i apelit duhej të dorëzohej brenda 30 ditësh nga shpallja e aktgjykimit, pra deri më 16 tetor. Mbrojtja kërkoi më shumë kohë, duke argumentuar se gjatësia dhe kompleksiteti i jashtëzakonshëm i aktgjykimit e bëjnë të pamundur respektimin e afatit të zakonshëm.
Aktgjykimi i shkallës së parë ka 2.089 faqe dhe cilësohet si më i gjati që kanë nxjerrë deri tani Dhomat e Specializuara. Sipas Panelit, çështja është veçanërisht komplekse për shkak të shtrirjes së aktakuzës dhe roleve udhëheqëse që u atribuohen të akuzuarve. Vendimi thekson se rasti përfshin një numër të madh vendngjarjesh dhe incidentesh të pretenduara në territorin e 16 komunave të Kosovës, në gjashtë zona operative të UÇK-së dhe në pjesë të Shqipërisë së Veriut, gjatë periudhës nga të paktën prilli 1998 deri më 20 qershor 1999.
Një nga argumentet kryesore të Mbrojtjes ishte gjuha. Aktgjykimi nuk është përkthyer ende në shqip dhe, sipas Mbrojtjes, fakti që të akuzuarit nuk mund ta lexojnë në anglisht krijon vështirësi shtesë në përgatitjen e ankesës. Mbrojtja pohoi gjithashtu se do t'i duhet të angazhojë burime të konsiderueshme për përkthimin, çka ndikon në kohën dhe kapacitetet që i mbeten për apelin.
Për këtë arsye, Paneli udhëzoi Zyrën e Regjistrimit që brenda 10 ditësh nga marrja e vendimit të raportojë për ecurinë e përkthimit në shqip. Zyra duhet të tregojë edhe kur pritet të jetë gati përkthimi paraprak, i parashikuar, si dhe versioni zyrtar dhe përfundimtar në gjuhën shqipe.
Ndërkohë, versioni publik i aktgjykimit ende nuk është gati. Sipas vendimit, ZPS-ja duhet të shpërndajë deri më 7 tetor 2026 një version të propozuar të redaktuar, ndërsa palët dhe pjesëmarrësit mund t'i diskutojnë redaktimet deri më 19 tetor 2026.
Në një vendim të veçantë, Paneli u mor edhe me rolin e viktimave në fazën e apelit. "Në një vendim tjetër, Paneli i Apelit miratoi modalitetet për pjesëmarrjen e viktimave në procesin e apelit, në të cilin vendosi që të zbatohet një praktikë e ngjashme me atë që u zbatua gjatë gjykimit në shkallë të parë, me përshtatjet e nevojshme", thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Paneli i Apelit, i caktuar më 22 shtator nga kryetarja e Dhomave të Specializuara, përbëhet nga gjyqtarja Michèle Picard, gjyqtari Kai Ambos dhe gjyqtarja Nina Jørgensen.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

