Dy ministra të Qeverisë së Kosovës do të jenë fizikisht në sallën e Dhomave të Specializuara kur të mërkurën shpallet verdikti i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në Hagë kanë mbërritur familjarë të të akuzuarve dhe qytetarë nga Kosova e diaspora.

Kosova do ta ketë qeverinë e saj të përfaqësuar në sallën ku shpallet një nga vendimet gjyqësore më të pritura të dy dekadave të fundit. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, si dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, do të jenë të mërkurën në Hagë, ku Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallin verdiktin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Praninë e dy ministrave e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, në një deklarim për RTK-në. Konjufca dhe Hoti pritet të jenë në galerinë e Dhomave të Specializuara, prej ku do ta përcjellin drejtpërdrejt leximin e vendimit.
Ndërkohë, qyteti holandez po mbushet me njerëz të ardhur nga Kosova dhe nga diaspora. Në Hagë kanë mbërritur familjarë të të akuzuarve dhe qytetarë të shumtë, të cilët pritet të marrin pjesë në tubimin e paralajmëruar atje një ditë para shpalljes, si dhe në vetë ditën e vendimit.
Vendimi i trupit gjykues vjen pas një procesi gjyqësor disavjeçar dhe pritet me interesim të madh jo vetëm në Kosovë, por edhe në Hagë e më gjerë. Katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës, katër për krime lufte dhe gjashtë për krime kundër njerëzimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se ata mbajnë përgjegjësi penale për krime të kryera në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës 1998-1999 dhe ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin.
Të katër u arrestuan në nëntor të vitit 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara, gjykatë e krijuar në vitin 2015 për rastet që lidhen me pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës. Gjykimi nisi më 3 prill 2023.
Dita e verdiktit po pritet edhe me masa të shtuara sigurie. Policia e Kosovës, si reaguese e parë e sigurisë, ka zhvilluar takim me KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën amerikane, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në, ku u prezantua plani dhe angazhimet e saj për 16 shtatorin, duke paralajmëruar mundësinë e kufizimeve ose ndërprerjeve të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura. Ambasada amerikane në Prishtinë u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë të kufizojnë lëvizjet pranë vendeve ku janë paralajmëruar demonstrata të mëdha më 16 shtator, në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të vendit.
Nga Brukseli, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve të mundshme lidhur me aktgjykimin. Në një konferencë për media në selinë e NATO-s më 14 shtator, i pyetur nëse është i shqetësuar për trazira të mundshme në Kosovë dhe në rajon si rezultat i vendimit, Rutte tha se KFOR-i është në Kosovë për të siguruar kontributin e NATO-s në stabilitet e paqe dhe se misioni ka kontribuar për më shumë se dy dekada në krijimin e një mjedisi të sigurt. Sipas tij, Aleanca do të vazhdojë ta vlerësojë përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it, që misioni të i përshtatet situatës së sigurisë, duke theksuar se zhvillimet në Kosovë ndikojnë edhe në rajonin më të gjerë.
Katër ditë para shpalljes së aktgjykimit, në Prishtinë mijëra persona morën pjesë në "Marshin për Liri", ku pjesëmarrësit kërkuan që vendimi të jetë i drejtë dhe i paanshëm.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

