Më 16 shtator, në orën 10:00, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallin aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prokuroria kërkon nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Policia holandeze është vendosur para ndërtesës së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku nesër, më 16 shtator, nga ora 10:00, shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zyrtarët policorë u kanë kërkuar qytetarëve të mbledhur aty të mos ndalen gjatë, ndërsa njëri prej tyre u ka thënë të pranishmëve se ka marrë urdhër nga komandanti i tij që askush të mos qëndrojë më shumë se dy minuta para ndërtesës së Tribunalit.
Gazetarëve që do ta ndjekin seancën nga brenda, Dhomat e Specializuara u kanë dërguar një email njoftues për praninë policore jashtë. "Siç mund ta dini, në media është raportuar se është bërë thirrje për mobilizimin e një numri të madh njerëzish për të udhëtuar për në Hagë më 15 dhe 16 shtator 2026. Ju informojmë se policia holandeze do të jetë e pranishme jashtë ndërtesës", thuhet në email.
Në bankën e të akuzuarve do të jenë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Prokuroria e Specializuar ka kërkuar për secilin prej tyre nga 45 vjet burgim për krime lufte. Për Thaçin, Prokuroria ka kërkuar edhe gjashtë vjet shtesë për akuzat që lidhen me pengimin e drejtësisë, ndërsa mbrojtja e tij ka argumentuar se kjo akuzë nuk qëndron. Të katërt i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Peshën më të madhe publike gjatë gjykimit e morën dëshmitë që mbrojtja solli nga emra ndërkombëtarë të përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimet e viteve 1998-1999. Gjenerali amerikan Wesley Clark, ish-komandant suprem i NATO-s dhe drejtues i fushatës ajrore të Aleancës më 1999 kundër forcave jugosllave, dëshmoi për dy ditë në Hagë. Mesazhi i tij ishte se Thaçi nuk kishte përgjegjësi për aktet individuale të dhunës dhe të hakmarrjes që kishin ndodhur në Kosovë. Clark deklaroi po ashtu se pjesëtarët e UÇK-së nuk ishin terroristë, por njerëz që po luftonin kundër një regjimi të padrejtë dhe për lirinë e vendit. Në fund të dëshmisë, ai tha se edhe pasi e kishte ndjekur procesin gjyqësor, vazhdonte t'i qëndronte bindjes se Thaçi nuk ishte përgjegjës për aktet individuale të dhunës në Kosovë.
Pas tij dëshmoi James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, një prej zyrtarëve të përfshirë drejtpërdrejt në diplomacinë amerikane gjatë luftës dhe në negociatat e Rambujesë. Rubin e përshkroi Thaçin si "fytyrën politike" të UÇK-së dhe, sipas dëshmisë së tij, Thaçi nuk kishte kontroll e as komandë efektive mbi komandantët e zonave. Rubin foli edhe për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara e shihnin rolin e Thaçit në atë periudhë dhe për raportet mes strukturës politike e asaj ushtarake të UÇK-së.
Në kuadër të çështjes së mbrojtjes dëshmuan edhe Christopher Hill, James Covey, Paul Williams, John Duncan dhe Michael Durkee, diplomatë, ekspertë e ish-zyrtarë ndërkombëtarë me njohuri të drejtpërdrejta për zhvillimet në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Dëshmitë e tyre u përdorën nga mbrojtja për të paraqitur versionin e saj për strukturën e UÇK-së dhe për rolin e Thaçit e të akuzuarve të tjerë. Në anën tjetër, Prokuroria ka paraqitur gjatë procesit pretendimet e veta.
Ndërkohë, familjarët e të akuzuarve kanë dalë publikisht në orët e fundit para seancës. Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, tha se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe e drejtë. "Sa herë jemi takuar me babin gjithmonë na ka dhënë motiv dhe na ka dhënë një kurajo. Ka thënë që lufta e UÇK-së, jo veç e jemja, por e secilit ushtar dhe secilit që është duke u gjykuar këtu, ka qenë e drejtë, për dinjitet dhe për lirinë e popullit shqiptar. UÇK-ja ka bërë luftë të pastër edhe nuk ka asnjë vendim që mundet me ndryshuar krenarinë që ka ky popull për këtë Ushtri Çlirimtare të Kosovës", tha ai për KosovaPress.
Ai shtoi se ndien dhimbje për babanë në paraburgim, por se do të ishte krenar për rrugën e tij pavarësisht vendimit, dhe se familja bashkë me ekipin mbrojtës do të apelojë çdo vendim që, sipas tij, nuk është i drejtë. Krasniqi bëri thirrje që verdikti të pritet me qetësi e maturi: "Duhet të jemi bashkë, kjo është përtej politikës, duhet me u larguar prej përçarjeve që i kemi në këto momente si popull".
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

