Kontrata kërkonte gypa bakri për ngrohjen qendrore të sallës së baletit në SHM “Lorenc Antoni”, por sipas prokurorisë u montuan gypa të galvanizuar dhe të çelikut të zi. Pronari i kompanisë dhe vetë firma tani përballen me akuzën për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Gypat e bakrit të parashikuar në kontratë nuk arritën kurrë në sallën e baletit të SHM “Lorenc Antoni” në Prizren. Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, në vend të tyre për ngrohjen qendrore u vendosën gypa të galvanizuar dhe të çelikut të zi, të materialit “inox”. Ky zëvendësim materialesh ka çuar tani në një aktakuzë të Departamentit të Krimeve të Rënda.
Në bankën e të akuzuarve janë dy palë: Xh.K., pronar dhe person përgjegjës i kompanisë “E.I.” SH.P.K., si dhe vetë kompania si person juridik. Prokuroria i akuzon, për shkak të dyshimit të bazuar, për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, të parashikuar nga neni 415 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ngjarja, sipas aktakuzës, daton më 10 dhjetor 2022. Atë ditë, në Prizren, i pandehuri pretendohet se me dashje ka shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk ka zbatuar detyrimet e kontratës për “Rregullimin e nxemjes qendrore në sallën e baletit në SHM ‘Lorenc Antoni’”. Materialet e përdorura, thotë prokuroria, nuk përputheshin as me paramasat dhe parallogaritë e punimeve të ngrohjes qendrore, as me specifikimet për furnizimin dhe montimin e pjesëve dhe pajisjeve të përcaktuara në kontratë.
Motivi, sipas akuzës, ishte përfitimi për vete, ndërsa e dëmtuara është Komuna e Prizrenit, së cilës i është shkaktuar dëm material, vlera e të cilit nuk është bërë publike. Edhe kompania “E.I.” SH.P.K. akuzohet se ka shkelur rregullat e prokurimit publik dhe nuk ka zbatuar detyrimet kontraktuale, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Deri në një vendim gjyqësor, të dy palët e akuzuara gëzojnë prezumimin e pafajësisë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

