Partia Guxo del për herë të parë në mbrojtje të Donika Gërvallës që nga nisja e kërkesave për dorëheqjen e saj nga posti i ministres së Drejtësisë, duke i quajtur "drakonike" dënimet e Dhomave të Specializuara dhe Gjykatën e Apelit rrugën e vetme institucionale.

Pas ditësh presioni publik dhe kërkesash për largimin e saj nga qeveria, partia e Donika Gërvallës ka dalë hapur në mbrojtje të saj. Partia Guxo ka reaguar për herë të parë që nga nisja e linçimeve dhe e kërkesave për dorëheqjen e Gërvallës nga pozita e ministres së Drejtësisë, lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Në një komunikatë për media me titullin "Drejtësi po, manipulim politik jo", Guxo nis me njohjen e revoltës qytetare. "Shqetësimi i qytetarëve për dënimet e fundit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, është i arsyeshëm dhe tërësisht legjitim. Protesta është një e drejtë themelore demokratike dhe zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet me respektin më të madh", thuhet në reagim.
Por mesazhi kryesor i partisë është se rruga e ankesës nuk kalon nëpër rrugë e studio televizive. "Megjithatë, dënimet drakonike që nxitën këtë reagim të madh popullor nuk mund të ndreqen përmes linçimeve politike e publike, por vetëm përmes një beteje të pastër juridike. Gjykata e Apelit, si nivel i dytë, mbetet rruga e vetme e duhur për adresimin institucional të këtij problemi", thekson Guxo, duke shtuar se "pavarësisht vendimeve të gjykatave, lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi mbetet gjithmonë e drejtë dhe e shenjtë".
Pjesa më e mprehtë e komunikatës u drejtohet atyre që votuan themelimin e gjykatës. "Në këtë kontekst, pyetja shtrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë: pse përgjegjësia politike nuk kërkohet nga ata që e votuan, e negociuan dhe e mbështetën Gjykatën Speciale? Sot, zhurmës së akuzave dhe baltosjeve u prijnë pikërisht ata që nëpër studio televizive e jashtë tyre kërkonin burgosje, lexonin lista me emra dhe ushtronin presione të pashembullta që ky ligj të votohej në Kuvend", shkruan partia.
Për sulmet ndaj zëvendëskryeministres, Guxo përdor gjuhë alarmante. "Është e papranueshme që, në vend të një analize mbi bazën e fakteve dhe veprimeve konkrete se pse erdhi situata deri këtu, po tentohet të linçohet politikisht Zëvendëskryeministja dhe Ministrja Donika Gërvalla si një 'fajtore' për këtë", thotë komunikata.
Më tej, partia tërheq një paralele me vitet e fundit të shekullit të kaluar: "Linçimi publik dhe baltosja e pashembullt, gjithnjë u ka paraprirë edhe likuidimeve fizike të personaliteteve të njohura kombëtare. Prandaj, Partia Guxo ngre pyetjen: prej nga kjo ringjallje e fantazmave të listave për likuidime, të viteve 97, 98, 99? Këto zhvillime ngrenë dyshime të mëdha: a po dëshmohet se në Kosovë ende nuk mund të zhvillohen procese gjyqësore të pavarura, pa presione politike dhe ndërhyrje të jashtme? Cili është mesazhi që këto fushata dhe protesta kundër institucioneve të drejtësisë i transmetojnë botës?"
Komunikata vazhdon me një pyetje drejtuar shoqërisë kosovare: "Shoqëria jonë duhet të vendosë nëse kërkon drejtësi vetëm kur ajo përkon me interesat e ngushta politike, a po kërkon një drejtësi të bazuar rreptësisht mbi kutet e ligjit apo mbi kutet e grupeve të cilat ligjin e konsiderojnë pronë?" Dhe pozicionimin e partisë: "Partia Guxo është e bindur: Drejtësia nuk guxon të përdoret kurrë si një instrument i luftës së brendshme politike."
Në fund, Guxo e zhvendos debatin drejt një fronti tjetër politik, atij të ligjit për hulumtimin e pasurisë së pajustifikueshme. "Në fund, duhet të pyesim: sulmet ndaj Donikës kanë të bëjnë me Hagën apo ligjin për hulumtimin e pasurisë së pajustifikueshme? Ofendimet e sotme në portale e vërtetojnë që kjo e dyta është e vërteta", përfundon reagimi.
Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, po përballet me një valë mllefi publik pas heshtjes së saj lidhur me dënimin e katërshes së UÇK-së nga Gjykata Speciale. Ajo po akuzohet se ka dërguar dosje në Hagë, akuza që nuk janë vërtetuar dhe të cilat komunikata e partisë as nuk i konfirmon, as nuk i hedh poshtë: pyetja nëse dosje të tilla janë dërguar apo jo mbetet pa përgjigje.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

