Vetëm 1.010 ndërmarrje të reja u hapën në Kosovë në gusht, 573 më pak se në korrik. Pothuajse të gjitha janë mikrobiznese, ndërsa asnjë ndërmarrje e mesme apo e madhe nuk u regjistrua.

Pas një korriku rekord, gushti solli rënien më të madhe mujore të vitit në regjistrimin e bizneseve në Kosovë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë gushtit 2026 janë regjistruar 1.010 ndërmarrje të reja, ndërsa 84 të tjera janë shuar.
Në korrik ishin hapur 1.583 ndërmarrje. Kjo do të thotë se brenda një muaji numri ra me 573, ose 36,2 për qind. Edhe krahasimi vjetor është negativ: në gushtin e vitit 2025 ishin regjistruar 1.068 ndërmarrje, pra këtë vit u hapën 58 më pak, një rënie prej 5,4 për qind.
"Në gusht 2026 krahasuar me muajin paraprak, kemi rënie për 36,2 % të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, kemi rënie për 5,4 % të ndërmarrjeve të regjistruara", thuhet në raportin e ASK-së, të publikuar në Repertorin Statistikor të Ndërmarrjeve Ekonomike.
Me këtë shifër, gushti është muaji me më pak ndërmarrje të reja në tetë muajt e parë të vitit 2026. Seria mujore e ASK-së tregon një prirje rënëse që nga pranvera: 1.339 regjistrime në mars, 1.124 në prill, 1.108 në maj dhe 1.092 në qershor. Korriku me 1.583 ndërmarrje ishte kulmi, e pas tij erdhi zbritja në 1.010. Niveli i gushtit është më i ulët edhe se shumica e muajve të vitit të kaluar; nga muajt e fundit të 2025-s, vetëm nëntori me 919 regjistrime ishte më poshtë, ndërsa dhjetori shënoi 1.000.
Struktura e bizneseve të reja flet për një ekonomi të mikrosipërmarrjeve. Nga 1.010 ndërmarrjet, 1.003, ose 99,3 për qind, kanë nga zero deri në nëntë të punësuar. Vetëm shtatë, pra 0,7 për qind, janë klasifikuar si ndërmarrje të vogla, me 10 deri në 49 punonjës. Në gusht nuk u regjistrua asnjë ndërmarrje e mesme (50-249 të punësuar) dhe asnjë e madhe (250 e më shumë të punësuar).
Sipas formës ligjore, dominojnë shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, me 70,4 për qind të regjistrimeve, ndërsa bizneset individuale përbëjnë 29,11 për qind. Kompanitë e huaja zënë vetëm 0,5 për qind, dhe gjatë muajit nuk u regjistrua asnjë shoqëri aksionare.
Tregtia mbetet sektori më i kërkuar. Tregtia me shumicë dhe pakicë, së bashku me riparimin e mjeteve motorike dhe motoçikletave, regjistroi 207 ndërmarrje të reja, ose 20,5 për qind të totalit. Pas saj renditen informacioni dhe komunikimi me 113 ndërmarrje (11,2 për qind) dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 109 (10,8 për qind).
Krahasimi me një vit më parë nxjerr në pah zhvendosje të dukshme. Pesha e industrisë përpunuese ra nën 10 për qind, nga mbi 13 për qind në gushtin e vitit të kaluar, ndërsa bujqësia zbriti nën 1 për qind të regjistrimeve, nga mbi 5 për qind. Në të kundërt, sektori i informacionit dhe komunikimit e rriti peshën e tij krahasuar me gushtin 2025.
Gjeografikisht, pothuajse gjysma e bizneseve të reja u hapën në rajonin e Prishtinës: 463 ndërmarrje, ose 45,8 për qind e totalit. Larg pas renditen Prizreni me 124, Mitrovica me 93, Ferizaj me 90, Peja me 88, Gjakova me 82 dhe Gjilani me 70.
Në anën tjetër të bilancit, shuarjet e bizneseve u pakësuan. Në gusht u mbyllën 84 ndërmarrje, nga 109 në korrik dhe 90 në gushtin e vitit 2025.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

