Një burrë mbeti i lënduar në këmbë pasi, sipas policisë, u godit me gurë nga ballkoni përballë. Policia u desh ta hapte me forcë derën për të arrestuar të dyshuarën, e cila kishte në dorë një thikë.

Në orën 03:00 të 3 tetorit 2026, gurët filluan të fluturonin nga një ballkon në Prishtinë drejt ballkonit të një banese fqinje. Në shënjestër ishte një burrë, shtetas i huaj, i cili pësoi lëndime në këmbë. E dyshuara, një grua, po ashtu shtetase e huaj, përfundoi në mbajtje.
Në raportin e saj 24-orësh, Policia e Kosovës e përshkruan kështu ngjarjen: "Është arrestuar e dyshuara femër shtetase e huaj për shkak se nga ballkoni i banesës në të cilën ka qenë duke qëndruar, me gurë kishte gjuajtur në ballkonin e viktimës mashkull shtetas i huaj dhe si pasojë viktima kishte pësuar lëndime në këmbë".
Incidenti nuk u ndal te gurët. Sipas policisë, gruaja ishte agresive dhe me një thikë theu xhamin e derës së terasës, duke hyrë brenda në banesë. Zyrtarët thonë se ajo përbënte rrezik për njësinë policore që duhej të ndërhynte brenda. Për këtë arsye, me urdhër të prokurorit, njësiti përkatës e hapi derën me forcë dhe e mori nën kontroll të dyshuarën. Thika iu konfiskua.
Pas kësaj, gruaja u dërgua në stacionin policor. Pas intervistimit, prokurori vendosi që ajo të mbahet në mbajtje. Policia e ka kualifikuar rastin si lëndim i lehtë trupor dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë. Identiteti dhe shtetësia e dy personave nuk janë bërë publike, ashtu si edhe motivi i sulmit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

