Një bateri raketash "Patriot" po transferohet nga ishulli Karpathos në Kretë, drejt bazës së Sudës, më e madhja amerikane dhe e NATO-s në Mesdheun lindor. Arsyeja: informacione se Irani po shqyrton sulme ndaj objektivave amerikane në Evropë.

Sistemet raketore u panë të ngarkuara mbi kamionë në port, në pritje të anijes. Zhvendosja e një baterie raketash "Patriot" nga ishulli Karpathos, në skajin lindor të Greqisë, nisi të dielën në mëngjes dhe përfundon të hënën, me destinacion Kretën.
Bateria do të vendoset në objektin ushtarak të Sudës, ku ndodhet baza më e madhe ushtarake amerikane dhe e NATO-s në Mesdheun lindor. Sipas mediave greke, vendimi erdhi pas informacioneve se Irani po shqyrton sulme ndaj objektivave ushtarake amerikane në Evropë, në rast se presidenti amerikan Donald Trump do të intensifikonte konfliktin në Ngushticën e Hormuzit. Ministria greke e Mbrojtjes nuk ka reaguar për këtë çështje.
Baza faktike e këtij alarmi u hodh javën e kaluar nga një artikull i "Financial Times", i cili citonte burime brenda regjimit iranian: Teherani nuk do ta kufizojë më përgjigjen e tij vetëm në Lindjen e Mesme dhe po shqyrton goditje ndaj objektivave amerikane në Evropë në rast të një përshkallëzimi të ri të aktiviteteve ushtarake amerikane. Sipas po atyre burimeve, forcat iraniane kanë vlerësuar mundësinë e sulmeve ndaj objekteve amerikane në Ballkan dhe në zonën e Mesdheut.
Mes tyre përmenden veçanërisht Bullgaria, ku baza ajrore e Bezmerit është miratuar për t'u përdorur për furnizimin me karburant të avionëve amerikanë nga korriku deri në tetor të vitit 2026, dhe Qiproja, ku një dron goditi një bazë britanike në mars.
Gazeta greke "I Kathimerini" shkruan se në vendimin për vendosjen e baterisë "Patriot" në Kretë ka ndikuar fuqishëm vlerësimi i aftësive të arsenalit iranian. Sipas informacioneve që aleatët i kanë përcjellë Athinës, Irani ende disponon një numër të mjaftueshëm raketash balistike me rreze veprimi mbi 2.000 kilometra, me të cilat mund të godasë baza dhe infrastrukturë në Evropën Juglindore.
Vetë "Patriot"-ët ishin transferuar në Karpathos në mars. Të njëjtin muaj, pas sulmeve me dronë ndaj bazës britanike Akrotiri në Qipro, Greqia dërgoi në ishull avionë luftarakë F-16 dhe një fregatë të pajisur me sistem për neutralizimin e dronëve. Një bateri tjetër greke "Patriot" është e vendosur që nga shtatori i vitit 2021 në Arabinë Saudite, ku është përdorur disa herë kundër raketave dhe dronëve iranianë të drejtuar drejt atij vendi.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

