Mbishkrime me alfabet cirilik serb, mes tyre "Kur ushtria të kthehet në Kosovë", u gjetën në një objekt në fshatin Llapnasellë të Graçanicës. Çështja ka kaluar te Prokuroria Speciale, si nxitje e përçarjes dhe mosdurimit.

Në orët e para të mëngjesit të 22 shtatorit, rreth orës 09:00, banorët e fshatit Llapnasellë të Graçanicës u ndeshën me mbishkrime të shkruara me alfabet cirilik serb në murin e një objekti. Rasti dyshohet se përmban mesazhe me motive të urrejtjes ndëretnike.
Ndër formulimet e shkruara ishin "Kur ushtria të kthehet në Kosovë", një simbol që nënkupton "Vetëm bashkimi i shpëton serbët", si dhe mbishkrimi "Grobari, Kosovë e Metohi".
Njësitet policore dolën në vendin e ngjarjes, ku bënë ekzaminimin dhe fotografimin e grafiteve. Për rastin u njoftua fillimisht Prokurori i Shtetit nga Departamenti i Përgjithshëm, i cili udhëzoi që çështja t'i referohej Prokurorisë Speciale.
Pas kësaj, Prokuroria Speciale ka iniciuar rast për veprën penale "Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit", të parashikuar me nenin 141 të Kodit Penal. Njësitë për krime të rënda dhe hetimet rajonale, të kontaktuara po ashtu për rastin, kanë bërë të ditur se çështja nuk bie në kompetencën e tyre.
Personi apo personat që shkruan grafitet mbeten të paidentifikuar. Hetimet vazhdojnë për zbulimin e autorëve dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

