Disa orë pas lindjes, një nënë në Spitalin Amerikan 2 në Graçanicë mori në krahë një foshnjë që nuk ishte e saja dhe paralajmërimi i saj u injorua. Inspektorati Shëndetësor gjeti mangësi serioze dhe një infermiere pa licencë, por spitali nuk u gjobit.

Një nënë e sapolindur në Spitalin Amerikan 2 (American Hospital Kosova II) në Graçanicë mori në shtrat një foshnjë që nuk ishte e saja. E tha menjëherë, por, sipas konstatimeve të Inspektoratit Shëndetësor, personeli i spitalit nuk e mori seriozisht dyshimin e saj.
Ngatërrimi ndodhi më 18 mars 2026, vetëm disa orë pas lindjes. Në ankesën e tij, babai i foshnjës, i identifikuar me inicialet D.M., pohon se stafi mjekësor e mori bebën rreth orës 23:00 dhe të nesërmen i ktheu bashkëshortes një foshnjë tjetër. Sipas tij, infermieret fillimisht këmbëngulën se një ndërrim i tillë nuk mund të ndodhte. Vetëm pasi ai insistoi, u bë verifikimi që e konfirmoi gabimin.
Versionin e personelit e jep deklarata me shkrim e një infermiereje që shkoi në dhomën e pacientes pasi prindërit dhanë alarmin. Ajo i ka thënë Inspektoratit se një gabim i tillë i ishte dukur i pamundur. Prindërit, megjithatë, nuk u tërhoqën: e krahasonin foshnjën me fotografitë që i kishin bërë bebes së tyre një ditë më parë. Infermierja kërkoi atëherë varësen që vendoset në dorën e të porsalindurit në momentin e lindjes. Aty shkruhej emri i një pacienteje tjetër. Në atë çast, sipas deklaratës së saj, kuptoi se foshnja në dhomë nuk u përkiste atyre.
Pas ankesës së pacientes, të identifikuar në raport me inicialet J.K., inspektorët shëndetësorë dolën në spital. Ata mblodhën deklarata me shkrim nga mjekët që e kishin trajtuar dhe gjithë dosjen e saj mjekësore. Dokumentet e inspektimit u bënë publike nga portali Veriu.info.
Konstatimet janë të rënda për spitalin. Sipas Inspektoratit, personeli nuk e trajtoi seriozisht dyshimin e nënës dhe nuk ofroi verifikim të menjëhershëm; shiriti identifikues i foshnjës u kontrollua vetëm pasi nëna këmbënguli. Inspektorët gjetën mangësi në procesin e identifikimit dhe të verifikimit të bebes gjatë dorëzimit te nëna, ndërsa raporti e cilëson rastin si dështim në zbatimin e masave për sigurinë e pacientit dhe për identifikimin korrekt të të porsalindurve. Sipas raportit, drejtori menaxhues i spitalit pranoi se ka ndodhur gabimi që çoi në ndërrimin e foshnjave.
Inspektimi nxori në dritë edhe një problem tjetër: infermierja që i kishte dorëzuar nënës foshnjën e gabuar nuk ishte e lajmëruar dhe as e licencuar në Divizionin për Licencim dhe Akreditim (DLA) të Ministrisë së Shëndetësisë. Inspektorët i ndaluan asaj ofrimin e shërbimeve shëndetësore në spital derisa të lajmërohet dhe të licencohet në sistemin e DLA-së.
Pavarësisht këtyre gjetjeve, Inspektorati Shëndetësor nuk i shqiptoi asnjë gjobë spitalit, as për ngatërrimin e foshnjave, as për punësimin e një infermiereje pa licencë. Masa e vetme ndaj institucionit ishte një vërejtje me shkrim.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

