Kianna Underwood, dikur zë dhe fytyrë e programeve për fëmijë të Nickelodeon, mbeti e vdekur në mes të rrugës pasi dy automjete e goditën njëri pas tjetrit dhe u zhdukën. Tetë muaj më vonë, policia e Nju Jorkut ka akuzuar një burrë 72-vjeçar.

Dy automjete, dy shoferë që nuk u ndalën dhe një grua 33-vjeçare e mbetur pa jetë në një kryqëzim të Brooklynit. Tetë muaj pas vdekjes së ish-aktores së fëmijëve Kianna Underwood, policia e Nju Jorkut ka arrestuar një prej drejtuesve të mjeteve.
Michael Griffiths, 72 vjeç, u akuzua të martën në mëngjes për largim nga vendi i një aksidenti me pasojë vdekjen, sipas policisë. Nuk është bërë e ditur se cilin nga dy automjetet drejtonte ai. Të dhëna për avokatin e tij nuk u bënë të ditura menjëherë. Griffiths konsiderohet i pafajshëm derisa gjykata të vendosë ndryshe.
Ngjarja ndodhi më 16 janar 2026 në lagjen Brownsville. Underwood po kalonte kryqëzimin kur u përplas nga një SUV i zi Ford Explorer. Ndërsa ndodhej e shtrirë në rrugë, sipas Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD) në atë kohë, ajo "u godit më pas nga një sedan i zi dhe gri". Ajo u shpall e vdekur në vendngjarje. Sipas policisë, të dy shoferët u larguan pa u ndalur.
Publikut amerikan, Underwood i njihej që në fëmijëri. Nga viti 1999 deri në vitin 2004 ajo i dha zërin personazhit Fuschia Glover në serialin "Little Bill" të kanalit Nick Jr. Një vit e kaloi në turneun e parë kombëtar të muzikalit "Hairspray", në rolin e Little Inez.
Në vitin 2005 ajo u shfaq në shtatë episode të "All That", programit popullor humoristik me skeçe të Nickelodeon, i cili gjatë një dekade në ekran nxori në skenë emra si Nick Cannon, Kenan Thompson dhe Amanda Bynes. Ai mbeti roli i fundit i regjistruar në karrierën e saj.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

