Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se shumica e ministrave të Qeverisë në detyrë tashmë janë betuar si deputetë — dhe se, për këtë arsye, vendimet e marra në mbledhjen e 12 gushtit i tejkalojnë kufizimet kushtetuese.

Vendimet e marra nga Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e 12 gushtit janë vënë në pikëpyetje juridike. Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka ngritur shqetësime publike, duke i cilësuar ato si të kundërligjshme dhe në kundërshtim me kufizimet kushtetuese.
Argumenti qendror i GLPS-së është statusi i vetë anëtarëve të Qeverisë. Sipas grupit, shumica e ministrave në detyrë tashmë janë betuar si deputetë të Kuvendit të Kosovës, çka e bën të kontestueshme vazhdimin e ushtrimit të funksioneve ekzekutive.
"Duke qenë se shumica e anëtarëve të Qeverisë në detyrë janë betuar si deputetë të Kuvendit të Kosovës, vendimmarrja e djeshme është e kundërligjshme dhe i tejkalon kufizimet kushtetuese dhe ligjore", thuhet në reagimin e GLPS-së.
Grupi thirret në tri baza për ta mbështetur qëndrimin: Nenin 72 të Kushtetutës, Nenin 26 të Ligjit për Qeverinë dhe një aktgjykim të Gjykatës Supreme. Sipas GLPS-së, të tria këto ndalojnë ushtrimin e njëkohshëm të funksionit të deputetit dhe atij të anëtarit të Qeverisë.
GLPS thekson gjithashtu një dallim thelbësor: dorëheqja nga një funksion publik nuk duhet të mbetet vetëm një akt formal, por duhet të pasohet edhe me ndërprerjen faktike të ushtrimit të atij funksioni. Mbi këtë bazë, grupi u ka kërkuar anëtarëve të Qeverisë transparencë dhe llogaridhënie lidhur me statusin e tyre juridik, dhe ka bërë thirrje që Qeveria në detyrë të përmbahet nga çdo veprim që tejkalon kompetencat e saj.
"Vendimmarrja e djeshme e Qeverisë në detyrë është e kundërligjshme dhe nuk mund të normalizohet", ka deklaruar GLPS.
Reagimi ndërlidhet edhe me një kërkesë të mëparshme. Më 6 gusht, GLPS i është drejtuar Zyrës së Kryeministrit duke kërkuar dokumentacionin që dëshmon nëse anëtarët e Qeverisë në detyrë, të zgjedhur deputetë, kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ministrore. Grupi njofton se afati ligjor shtatëditor për përgjigje ka mbërritur në ditën e fundit dhe pret që Zyra e Kryeministrit ta përmbushë detyrimin ligjor për transparencë.
Vendimet që GLPS konteston janë ato të mbledhjes së 12 gushtit, të cilat përfshinin miratime lidhur me qiradhënie dhe ngritjen e komisioneve për plotësimin e 18 posteve drejtuese.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

