Katër ish-krerët e UÇK-së dhe Prokuroria e Specializuar kanë kohë deri më 27 nëntor për të njoftuar apelet e tyre. Paneli, i kryesuar nga Michele Picard, ka përcaktuar edhe rregullat për viktimat në këtë fazë.

Gjyqtarja franceze Michele Picard do ta drejtojë Panelin e Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në procedurën ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Emri i saj si gjyqtare kryesuese shfaqet shprehimisht në fund të një vendimi të publikuar më 29 shtator 2026, i cili rregullon mënyrën se si viktimat do të marrin pjesë në fazën e apelit.
Paneli përbëhet nga tre gjyqtarë: Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Çështja ka kaluar në duart e tyre pas Aktgjykimit të shkallës së parë, të shpallur më 16 shtator 2026.
Kalendari i palëve tashmë ka marrë formë. Më 22 shtator, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi paraqitën bashkërisht një kërkesë për zgjatjen e afatit për njoftimin e apelit kundër Aktgjykimit. Më 29 shtator, Paneli e miratoi pjesërisht këtë kërkesë dhe i dha të njëjtën zgjatje edhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Ekipet e Mbrojtjes dhe ZPS-ja duhet t'i dorëzojnë njoftimet për apel deri më 27 nëntor 2026.
Një nga arsyet që e bëjnë kohën të rëndësishme është gjuha. Sipas vendimit, aktgjykimi i shkallës së parë ende nuk është përkthyer në shqip, gjë që do të thotë se versioni shqip nuk pritet të publikohet së paku në dy javët e ardhshme. Paneli i ka kërkuar Sekretarisë një raport për këtë. "UDHËZON Sekretarinë që, brenda 10 ditësh nga dorëzimi i këtij Vendimi, ta njoftojë Trupin e Apelit për ecurinë e përkthimit të Aktgjykimit në gjuhën shqipe, si dhe për kohën e pritshme të përfundimit të tij", thuhet në vendim.
Për viktimat, Paneli ka zgjedhur vazhdimësinë. Në apel do të zbatohet një regjim i ngjashëm me atë të gjykimit në shkallën e parë, me përshtatjet që kërkon kjo fazë. Pjesëmarrja e tyre duhet të kufizohet në çështjet që prekin interesat e tyre personale dhe nuk mund të bjerë ndesh apo të cenojë të drejtat e të akuzuarve. Viktimat nuk mund ta përfaqësojnë vetveten: ato do të vazhdojnë të përfaqësohen nga Mbrojtësi i Viktimave, ndërsa Paneli ka theksuar se do ta mbajë nën kontroll mënyrën e pjesëmarrjes së tyre gjatë gjithë procesit.
Mbrojtësi i Viktimave do të ruajë qasjen në dosjen e çështjes, përfshirë parashtresat, transkriptet dhe materialet provuese publike, konfidenciale dhe rreptësisht konfidenciale, me përjashtim të materialeve të paraqitura në mënyrë të njëanshme pa qasje për të. Ai do të mund të marrë pjesë edhe në seancat e apelit, përveç atyre nga të cilat përjashtohet shprehimisht.
Shifra që tregon peshën e këtij rregullimi është dhënë në vetë Aktgjykimin e 16 shtatorit: 156 viktima kishin marrë pjesë në procedurën gjyqësore të shkallës së parë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

