Një lojtar u vërsul mbi gjyqtarin dhe e goditi në kokë gjatë një ndeshjeje në Brezovo Polje. Lëndimet ishin aq të rënda sa u desh ndërhyrja e urgjencës dhe një skanim i kokës.

Një gjyqtar me përvojë i futbollit boshnjak është sulmuar dhe rrahur gjatë një ndeshjeje në Brezovo Polje, në Distriktin e Brçkos. Sipas asaj që raportohet, ndaj tij u vërsul njëri prej lojtarëve dhe e goditi në kokë, duke shkaktuar lëndime që kërkuan ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimit të urgjencës mjekësore.
Viktima është Bojan Makariç nga Bijeljina, gjyqtar që edhe këtë sezon bën pjesë në listën B të gjyqtarëve për Ligën e Bosnjë dhe Hercegovinës, në rolin e gjyqtarit asistent. Në momentin e sulmit, ai po referonte ndeshjen. Identiteti i sulmuesit ende nuk është bërë publik.
Policia e Distriktit të Brçkos ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se incidenti u raportua më 18 gusht, rreth orës 23:07. Zyrtarët policorë dolën në vendin e ngjarjes dhe mblodhën informacionet e para, ndërkohë që miqtë e të dëmtuarit e transportuan në Bijeljina për kontroll mjekësor.
Rreth orës 00:10, Policia e Distriktit të Brçkos u njoftua nga Policia e Bijeljinës se gjyqtari ndodhej në shërbimin e urgjencës pasi kishte pësuar lëndime. Mjeku nuk arriti të përcaktonte menjëherë shkallën e dëmtimeve, pasi ishte i nevojshëm një skanim i kokës me tomografi të kompjuterizuar.
Policia ka njoftuar se, pas mbledhjes së të gjitha informacioneve dhe fakteve për rastin, do të ndërmarrë masat dhe veprimet e parashikuara me ligj.
Sulmi ka shkaktuar shqetësim në futbollin boshnjak, veçanërisht ngaqë bëhet fjalë për një arbitër që prej vitesh referon ndeshje në elitën e futbollit të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

