Procesi për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc ngeci sërish: prokurori i rastit mungoi, seanca u ndërpre dhe kryetari i trupit gjykues njoftoi se më 10 nëntor del në pension.

Gjykimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc ka mbetur pa një datë të re. Seanca e sotme u ndërpre pa nisur në thelb, ndërsa kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili, njoftoi në sallë se nuk do ta vazhdojë më këtë proces, sepse më 10 nëntor del në pension.
Shkaku i drejtpërdrejtë i ndërprerjes ishte mungesa e prokurorit të rastit, Bekim Kodraliut. Në vend të tij u paraqit kolegu i tij, prokurori Armend Zeneli, i cili kërkoi që seanca të shtyhej, duke thënë se Kodraliu ishte përballur me një urgjencë dhe nuk kishte mundësi të vinte.
"Prokurori ka pasur një urgjencë. Propozoj që seanca e sotme të ndërpritet dhe të shtyhet për një datë tjetër", deklaroi Zeneli.
Avokatët mbrojtës të të akuzuarve e kundërshtuan kërkesën e prokurorisë. Megjithatë, pas këshillimit, trupi gjykues e miratoi propozimin.
"Trupi gjykues pas këshillimit merr aktvendim: aprovohet propozimi i prokurorit. Seanca e sotme ndërpritet dhe e njëjta caktohet në kohë të pacaktuar. Arsyeja pse nuk është vendosur afati është që unë më 10 nëntor e përfundoj karrierën time, pensionohem. Për caktim do të njoftoheni me kohë", tha gjyqtari Ismaili.
Në bankën e të akuzuarve për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc ndodhen tre persona, mes tyre dy vëllezër. Ata prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë.
Largimi i kryetarit të trupit gjykues e lë procesin në pritje: nuk dihet ende se kush do ta marrë rastin, as kur do të mbahet seanca e radhës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

