Ekskavatori në sheshin e Mitrovicës së Veriut duhet të ndalet: me kërkesë të “Trepçës”, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka ndaluar Komunën të vazhdojë punimet për amfiteatrin, nëntë ditë pasi kishin nisur.

Projekti i amfiteatrit në sheshin e Mitrovicës së Veriut, me vlerë 50 mijë e 475 euro, është ngrirë në gjykatë. Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur masë të përkohshme ndaj Komunës së Mitrovicës së Veriut, duke e ndaluar të kryejë çfarëdo punimi, ndërtimi, ndërhyrjeje, shfrytëzimi apo aktiviteti tjetër në parcelat ku ka nisur ndërtimi, deri në një vendim tjetër të gjykatës.
Masa u caktua pas kërkesës së ndërmarrjes “Trepça”, e cila pretendon se ajo tokë është pronë e saj. Ndërmarrja kishte kërkuar ndalimin e punimeve dhe ruajtjen e gjendjes ekzistuese pa njoftim dhe pa dëgjim paraprak të Komunës, duke e arsyetuar me urgjencën. Punimet kishin nisur më 14 shtator 2026, ndërsa vendimi i gjykatës mban datën 23 shtator 2026.
Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se, sipas të dhënave kadastrale të paraqitura, parcelat figurojnë të regjistruara në pronësi të “Trepçës”, ndërsa fotografitë e dorëzuara si prova tregojnë se aty po zhvillohen punime. Mbi këtë bazë, gjykata vlerësoi se ndërmarrja e ka bërë të besueshme të drejtën që pretendon dhe se kërkesa për masën e përkohshme është e bazuar. “Për rrjedhojë, ekziston bazë e mjaftueshme për të konsideruar të besueshëm pretendimin e propozuesit se veprimet e kundërshtarit të sigurimit mund të cenojnë ushtrimin e së drejtës së tij pronësore”, thuhet në vendim.
Procedura vazhdoi me shikimin e vendit, që u zhvillua në orën 13:45 me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të gjykatës, të një eksperti gjeodet dhe të përfaqësuesve ligjorë të të dy palëve. Sipas konstatimeve të gjeodetit, punimet kanë prekur ngastrat kadastrale 786-0 dhe 788-0 në zonën kadastrale Mitrovicë e Veriut. Vendpunishtja ishte e rrethuar, brenda saj ndodhej një bager, ndërsa në një pjesë të ngastrave ishte vendosur një tubacion dheu që po përdorej për punimet.
Gjyqtari i rastit përshkroi edhe kufijtë e zonës së kontestuar: në lindje ajo kufizohet me ngastrën 2443-0, ku është ndërtuar sheshi i Komunës, në veri me parcelën 784-0, në perëndim me ngastrat 785-0, 787-0 dhe 788-0, ndërsa në jug me ngastrën 789-0.
Pala komunale e paraqiti ndërhyrjen si pjesë të rregullimit të hapësirës publike. “Prej komunës është projekti, dmth për renovimin e sheshit dhe sipas planit të ekspozuar në tabelë”, tha avokati i Komunës gjatë shikimit. Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, nga ana e saj, e cilësoi rastin si “një keqkuptim mes Komunës dhe ‘Trepçës’”, duke shprehur shpresën se do të zgjidhet.
Hapi i radhës i takon ekspertit. Aktvendimi e detyron gjeodetin të përgatisë brenda një jave një ekspertizë për dy ngastrat e prekura: “Obligohet eksperti gjeodet që brenda afatit prej 7 ditësh të përpilojë ekspertizën gjeologjike, në të cilën duhet të përcaktohen masat dhe kufijtë e ngastrës kadastrale 786-0 dhe 788-0, të cilëve duhet t’i bashkëngjiten certifikata e pronësisë, skica e terrenit, kopja e planit dhe fotot e vendit të ngjarjes”.
Kontesti për sheshin nuk është rast i veçuar. Gjatë muajve të fundit, “Trepça” ka ndërmarrë një sërë aksionesh për të rikthyer nën menaxhimin e saj prona në veri të Kosovës. Ndërmarrja ka marrë sërish dy lokale në sheshin e Mitrovicës së Veriut, në rrugën “Koloshini”, të cilat, sipas saj, kishin qenë për 27 vjet jashtë kontrollit të saj, ndërsa në Zveçan ka rikthyer në posedim dhe administrim një objekt që e kishte përdorur ish-Banka Komerciale. Kryeshefi i ndërmarrjes ka deklaruar se, kur nuk paraqitej dokumentacion që dëshmonte të drejtën mbi pronën, “Trepça” ndërmerrte masa për lirimin e saj.
Aksioni më i madh ndodhi më 22 prill, kur ndërmarrja rrënoi mbi 20 garazhe dhe objekte të tjera pranë Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë të Veriut, të cilat, sipas saj, ishin ndërtuar në pronën e saj dhe ishin uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme. “Trepça” pohoi se rrënimi erdhi pas më shumë se dy muajsh, gjatë të cilëve palëve u ishte dhënë mundësia të paraqitnin prova. Kryetari i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës së Veriut deklaroi në atë kohë se Komuna as nuk ishte njoftuar, as konsultuar për rrënimin dhe se nuk kishte pranuar asnjë shkresë nga ndërmarrja. Çështja e pronave të “Trepçës” është diskutuar edhe në Kuvendin Komunal.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

