Shoferët në Kosovë do ta mësojnë për gjobën sapo ajo të regjistrohet në sistem, me mesazh në telefon dhe njoftim në e-Kosova. Bizneset marrin edhe raportin e plotë për gjobat e papaguara, pikët negative dhe masat ndaj patentës së shoferit.

Një gjobë në trafik nuk do të mbetet më e panjohur për shoferin derisa të vijë fatura. Sapo gjoba të regjistrohet në sistem, qytetarët në Kosovë do të njoftohen me mesazh SMS dhe përmes platformës shtetërore e-Kosova.
Ky është rezultati i integrimit ndërmjet Sistemit Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK) dhe e-Kosovës, i cili, sipas Policisë së Kosovës, tashmë është vënë në funksion.
Njoftimi i menjëhershëm është vetëm një pjesë e shërbimit. Në platformë, qytetarët mund të shohin edhe informata më të detajuara për gjobat dhe masat mbrojtëse të shqiptuara ndaj tyre.
Për pronarët e bizneseve është hapur një funksion i veçantë: një raport për gjendjen e gjobave, i qasshëm drejtpërdrejt në e-Kosova. Raporti përmbledh gjobat e papaguara, masat mbrojtëse ndaj personave fizikë, përfshirë konfiskimin ose anulimin e patentës së shoferit, si dhe pikët negative në trafik, bazuar në të dhënat e regjistruara në sistem.
Policia e Kosovës e sheh këtë lidhje si hap drejt qasjes më të lehtë në informata, transparencës më të madhe dhe komunikimit më të mirë ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve. Institucioni u bëri thirrje qytetarëve ta përdorin e-Kosovën për t'u informuar për gjobat dhe masat në trafik, duke ritheksuar përkushtimin për avancimin e shërbimeve dhe rritjen e transparencës institucionale.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

