Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, paralajmëron një bllokadë totale institucionale dhe akuzon partinë fituese të zgjedhjeve se po "shkatërron rendin kushtetues", teksa vë mbi tryezë një ofertë me gjashtë pika.

Ngërçi politik në Kosovë ka marrë një ton të ri paralajmërimi. Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, deklaroi se vendi po përballet me rrezikun e një bllokade totale për shkak të, siç u shpreh ai, "shkeljes dhe djegies së afateve për konstituimin e Kuvendit".
Deklaratat e Gjinit erdhën pas mbledhjes së radhës të Kryesisë së Aleancës, ku ai ripërsëriti ofertën e partisë me gjashtë kushte dhe akuzoi partinë e parë të dalë nga zgjedhjet se po e injoron atë.
"Si Aleancë, ne kemi hartuar një ofertë të qartë të dedikuar për qytetarët, e cila po injorohet totalisht nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet, edhe pse zotimi ndaj këtyre pikave do të çonte menjëherë në tejkalimin e këtij ngërçi politik", tha Gjini.
Ai ngriti akuza të drejtpërdrejta ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e ngarkoi se po cenon rendin kushtetues dhe pavarësinë e institucioneve. "Partia që ka fituar zgjedhjet po i bën sulm vetë shtetit përmes ligjeve që cenojnë pavarësinë e institucioneve, duke shkatërruar rendin kushtetues", deklaroi kreu i Aleancës.
Sipas Gjinit, kriza nuk mbetet vetëm në rrafshin politik: ajo, tha ai, po dëmton ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Oferta me gjashtë pika që Aleanca vë mbi tryezë përfshin: pranimin e menjëhershëm të projektit të gazit amerikan; nisjen e menjëhershme të procedurave për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill për sigurinë energjetike; ngritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro; lirimin e tokës së punuar nga tatimi në pronë për rritjen e prodhimit vendor; financimin e plotë të projekteve rrugore dhe kapitale të mbetura pezull; si dhe ndarjen e 800 milionë deri në 1 miliard euro investime kapitale për Prishtinën.
Gjini këmbënguli se qëndrimi i partisë së tij që nga përfundimi i zgjedhjeve ka qenë konstruktiv dhe në funksion të krijimit të institucioneve të rregullta, dhe premtoi se angazhimi politik për daljen nga kriza do të vazhdojë.
"Kosova është më e madhe se çdo krizë politike e shkaktuar artificialisht si kjo që po shohim sot. Si Aleancë, do të vazhdojmë të angazhohemi në mbrojtje të projektit tonë shtetëror dhe do të përdorim çdo rrugë politike për të rikthyer normalitetin dhe zhvillimin në vend", tha ai.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

