Berlini u shton zërin kritikave ndaj idesë së presidentit serb për të ndryshuar rrjedhën e lumit Ibër, duke e cilësuar një pengesë për normalizimin Kosovë–Serbi dhe duke bërë thirrje për përmbajtje.

Gjermania ka reaguar kundër deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, duke thënë se nisma të tilla nuk e mbështesin normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ideja e Vuçiqit parasheh ndryshimin e rrjedhës së lumit në territorin serb, çka do të shkaktonte tharjen e liqenit të Ujmanit.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë u shpreh në një linjë me Bashkimin Evropian, duke bërë thirrje për përmbajtje. "Siç kemi deklaruar edhe më parë, Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj evropian. Për të përparuar në këtë rrugë, Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut. Deklaratat lidhur me ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër nuk e mbështesin këtë objektiv. Edhe një herë, u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që pengojnë përparimin e normalizimit përmes dialogut", thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Vuçiq të dielën deklaroi se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me atë që ai e quan "maltretim" të serbëve në Kosovë. "Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen", tha ai.
Nuk është hera e parë që presidenti serb e ngre këtë ide. Para dy vitesh, pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, ndërsa mohonte përfshirjen e Serbisë në ngjarje, Vuçiq kishte pohuar se një ide për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit ekzistonte që nga viti 1985.
Të njëjtin qëndrim me ambasadën gjermane e shprehu edhe Bashkimi Evropian. Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, në një konferencë për media në Bruksel, tha se deklaratat dhe veprimet, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, nuk e mbështesin objektivin e krijimit të një marrëdhënieje normale mes dy vendeve. "Kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut. Gjithashtu, rikujtojmë se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që secila palë të përparojë në rrugën europiane", shtoi Hipper.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

